Qytetarët: Përmbaruesit po na rrjepin

Qytetarët: Përmbaruesit po na rrjepin

Gazetare: Ajnur Bafqari

Qytetarët ankohen se përmbaruesit po e rrjepin popullin. Ata në një anketë për Alsat thonë se për borxhe të vogla minimale, obligohen të paguajnë shuma të mëdha parash, gjë që sipas tyre është e tepërt dhe nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Kërkojnë që kjo të ndryshohet sa më shpejtë.

“ E tepërt dhe e tepruar..
– A keni pasur ju ndonjë rast të tillë?
-Po kam pasur më herët të ju them, pagova shumë për përqindje, tani nuk e di si është. Nuk e mbaj mend, ishte më herët, e di se shumë paguhej, dhe tani ende ankohen njerëzit, por sa dhe si nuk mund ta them. Deri më tani duhej të ndryshohej kjo, por këto që vijnë në pushtet, nuk kanë punë për ato punë, e ato janë punë shumë të rëndësishme”, tha një qytetar.

“ Përmbaruesit? Jo shumë por e rrjepin popullin, absolutisht. Të gjithë duhet të qëndrojnë së bashku dhe ta zgjidhin atë problem, populli është shteti”, shtoi një qytetare.

“Përmbaruesit janë hajdutë, nuk ka gjë të tillë në vende tjera, vetëm tek ne. E di kishte një njeri se di a për një apo dy denarë, ka paguar 300 euro. Ajo është e turpshme, askund në botë s’është kështu. Ne kemi qenë edhe në perëndim, por askund nuk ka një gjë të tillë”, tha një qytetar.

“Ata nuk marrin, ata grabitin, gjithçka në kundërshtim me ligjet. Bllokon llogari me 6 milion euro për 5400 denarë, ku është kjo, në cilin shtet të botës, askund.  Përndryshe përmbaruesit nuk e kryejnë punën si duhet, ja të them shembull konkret. Merr e bllokon llogari, nuk e shikon se ka para në llogari”, tha një qytetar.

Vitin e kaluar te Avokati i Popullit kanë arritur mbi 300 parashtresa lidhur me punën e përmbaruesve, procedurën e përmbarimit, mënyrën e informimit, lartësinë e kamatave, apo bllokimin e llogarive bankare të qytetarëve. Avokati i Popullit Naser Ziberi si rast më eklatant përmendi parashtresën e një qytetari që për 10 denarë borxh, është obliguar të paguajë 3000 denarë. Ziberi vlerëson se ka hapësirë për ulje të shpenzimeve të përmbarimit.

“Bëhet fjalë për kategori qytetare që ekonomikisht nuk qëndrojnë mirë, një numër shumë i madh i tyre janë edhe raste sociale, rroga minimale ose pensione minimale që do të thotë se shpenzimet e përmbarimit për këta janë një ngarkesë serioze, që i vë në pikëpyetje jetën minimale normale të qytetarëve.  Qeveria në vitin 2022 bëri ndryshim të tarifës së përmbaruesve, por mendoj se ka hapësirë ende që shpenzimet e përmbarimit të ulen, ose të racionalizohen, sepse po ta merrni tarifën e përmbaruesve, atje ka 10 paragrafe dhe 10 mënyra të llogaritjes së shpenzimeve. Kur të gjitha këto të mblidhen, arrihet deri një shumë që nga 10 denarë, shndërrohet borxhi në 3000 denarë”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Avokati i popullit ka ankesa ndaj formës dhe përmbajtjes së urdhrit për përmbarim. Ai kërkon që të rregullohet afati për ankesa, që aktualisht është 48 orë dhe të citohet dispozita ligjore në bazë të së cilës qytetari mund të ankohet. Ziberi nënvizoi se pikërisht për shkak të mënyrës së formulimit të urdhrit të përmbarimit, në 90 për qind të rasteve qytetarët përfundojnë te përmbaruesi me llogari të bllokuara./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button