Qytetarët, të painformuar për thirrjet urgjente

Qytetarët, të painformuar për thirrjet urgjente

Gazetare: Vjollca Aliti

Për 15 muaj janë realizuar 660,000 thirrje urgjente në numrin e Qendrës për Menaxhim me kriza. Thirrjet kryesisht janë për ndihmë policore, ndërsa më pak për shërbimin e zjarrfikësve. Përfaqësues të kësaj qendre thonë se u janë përgjigjur 520 mijë thirrjeve, ndërsa janë lëshuar 145 mijë të tjera, thirrje të cilat qytetarët i kanë bërë gabimisht.

“Më së paku thirrje ka për zjarrfikësit. Ndaj policisë ka më shumë thirrje sepse ka përfshirje më të madhe dhe detyrime ndaj qytetarëve. Lajmërohen raste nga më të ndryshmet. Për shembull në prill ndaj policisë kemi rreth 10,000 thirrje ndërsa ndaj ndihmës së shpejtë 7,000 thirrje”, deklaroi Ivica Dodevski, Udhëheqës i Sektorit për thirrje.

Edhe pse numri 112 që shërben për thirrje urgjente ekziston nga shkurti i vitit të kaluar, qytetarët janë shumë pak të informuar për ekzistimin e kësaj linje për ndihmë policore, urgjencën, shërbimin zjarrfikës apo çfarëdo lloj nevoje tjetër urgjente që qytetarët mund të kenë. Kreu i Qendrës për Menaxhim me Kriza në një intervistë MIA-n thotë se qëndrimi i Qeverisë që të mos ketë reklamim në media të institucioneve shtetërore, i ka lënë qytetarët të painformuar.

“Ne kemi organizuar një fushatë të vogël, por kufizimet ligjore dhe qëndrimi i Qeverisë për të mos paguar në media për reklama të institucioneve shtetërore na ka kufizuar mundësitë dhe si pasojë shumica e qytetarëve nuk e dinë ekzistimin e këtij numri. Në këtë moment kemi iniciuar hulumtim të opinionit publike për të parë sa qytetarë janë të njoftuar me këtë numër dhe me kompetencat e tij”, tha Stojançe Angellov, Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Linja 112  përfshin 8 qendrat më të mëdha të vendit: Shkupin, Kumanovën, Shtipin, Ohrin, Strumicën, Velesin, Manastirin dhe Tetovën. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button