Radev thotë se Osmani po vendos ultimatume për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë

Radev thotë se Osmani po vendos ultimatume për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë

Gazetar: Lluka Andreev

“Është e pavend dhe e pashëndetshme të vendosen ultimatume” – kështu e komentoi presidenti bullgar Rumen Radev deklaratën e ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, sipas të cilit deri në fund të qershorit do të jepet energji për zgjidhjen e kontestit, shkruan Alsat.

Radev theksoi se presioni i jashtëm ndaj Bullgarisë për t’i dhënë dritë jeshile kornizës së negociatave ka qenë edhe më i fortë në të kaluarën, duke shtuar se mbetet për t’u parë nëse qeveria aktuale do t’i bëjë ballë presionit të tanishëm.

“Presioni ishte edhe më i madh vitin e kaluar. Unë dhe qeveria teknike i rezistuam presionit të dy Këshillave ku u ngrit çështja e zgjerimit. Pra, presioni mund të përballohet kur ka qëndrime të qarta që respektojnë interesin kombëtar bullgar, por edhe të vërtetën”, tha Rumen Radev – President i Bullgarisë.

Sinjale pozitive për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian nuk ka as nga ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska. Në takimin me homologun e saj austriak Aleksandër Shalenberg, ajo tha se Sofja në periudhën e kaluar ka bërë përpjekje të konsiderueshme për marrëdhënie pozitive dypalëshe me Shkupin.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ato janë të mundshme vetëm me përpjekje të përbashkëta. Presim veprime konkrete dhe garanci nga Shkupi për zbatimin e përhershëm dhe të pakthyeshëm të Marrëveshjes së vitit 2017, si dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndjehen si  bullgar”, u shpreh Teodora Gençovska – Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Më parë ministria e Jashtme e Maqedonisë informoi se javët në vijim janë vendimtare për zgjidhje me Sofjen dhe deri në fund të muajit do të mbahet sërish seancë e përbashkët ndërqeveritare me kabinetin e Kiril Petkovit, por kësaj radhe në Shkup./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button