Radhë të gjata dhe pritje të shumta në pikat e vaksinimit

Në atmosferë të tillë u hap pika e vaksinimit në Poliklinikën Bukuresht në Shkup. Qytetarët të grumbulluar dhe pa mos respektuar distancën qëndronin përpara dyerve të kësaj pike vaksinimi. Përpara kamerës së televizionit Alsat u shprehën të revoltuar se nuk respektohet radha dhe termini dhe se nga ana e personelit futen njerëz pa terminë dhe përmes lidhjeve miqësore. Disa prej tyre madje thanë se do ta lënë terminin dhe do ikin të vaksinohen në Serbi.

“Katastrofë që nga mëngjesi e deri më tani. Nuk i lexojnë emrat në bazë të listës. Shumë rrëmujë, njerëzit njëri pas tjetrit nuk mbajnë distancë”.

“ Nuk është në kohë termini, çfarë të bëjmë ka shumë rrëmujë. Nga brenda na thanë prisni se do ju vijë radha. Duash apo jo do presësh nëse dëshiron të vaksinohesh”.

“Ne jemi specialist për të bërë rrëmujë, gjitha punët në Maqedoni kështu shkojnë. Unë mund të pres por pse të pres? Përse më vendosin termin kur më lënë të kotem para dere. Edhe pse ka listë, i lejojnë të hyjnë si ju kujtohet brenda. Nga ajo anë i lëshojnë disa miq që i kanë. Dhe ka vetëm dy mjeke, jo katër sa duhej të ishin”.

“Unë desha të shkojë. Të iki në Serbi të vaksinohem dhe të mbarojë punë. Në asnjë mënyrë nuk ka organizim këtu, as nuk do ketë ndonjëherë”.

Në mesin e qytetarëve të grumbulluar kishte shumë edhe nga ata të cilët kishin ardhur madje dy orë më herët se termini i caktuar.

“Terminin e kam për në 11:30. Përse keni ardhur më herët? Tani erdhëm, thamë të mos vonohemi sepse me autobusë erdhëm nga Gjorçe. Para kohe jemi, e di por nuk ka problem”.

“Terminin e kam për në 11:25. Kam ardhur më herët. Përse erdhët aq herët? Të mos e humbas radhën…”.

Pamje e njëjtë, madje edhe më e rënduar ishte në A1 arenën në Boris Trajkovski, e cila është edhe qendra më e madhe e vaksinimit në vend.

“Terminët u tejkaluan thuajse krejt. Kishte shumë rrëmujë, njerëzit mezi shkonin. Me të vërtetë ishte shumë rëndë situata sot. Nuk e di përse, organizimi është gjithçka tjetër përpos ta lavdërosh. Më shumë se dy orë na u vonua termini..”.

“Nuk munda të hyjë, nuk kishte as radhë as askush. Hyjnë kush si dëshiron”.

“Terminin e kapëm por megjithatë kishte shumë rrëmujë”.

“Jo termini nuk ishte i saktë. Kishte rrëmujë të madhe”.

Ekipi i televizionit Alsat ishte edhe në poliklinikën e Çairit dhe atë Jane Sandanski, ku për dallim nga pikat e tjera të vaksinimit që vizituam procesi i imunizimit bëhej pa vonesa dhe pa pritje. Gjatë ditës së sotme pos vaksinimit me vaksinën kineze Sinofarm, vaksinohen dhe rivaksinohen të moshuarit me vaksinën Astra&Zeneca, të cilat arritën mbrëmë në vend përmes mekanizmit Covax. Deri më tani janë vaksinuar rreth 164 mijë qytetarë ku rreth 30 mijë prej tyre janë vaksinuar me dy doza.

Vjollca Aliti

LEXO EDHE:

Back to top button