Radhë të gjata në Bogorodicë, deri në dy orë pritje për të dalë nga Maqedonia
Gazetar: Suad Bajrami
Për shkak të rritjes së frekuentimit të makinave në drejtim të Greqisë, gjatë ditës së sotme ka pasur pritje të gjata në pikën kufitare “Bogorodicë”. Sipas buletinit ditor të Auto Moto Lidhjes së Maqedonisë për lëshimin e shtetit qytetarët presin rreth dy orë. Ndërkohë ngecje ka edhe në kufirin verior Tabanoc.
“Në Pikën Kufitare “Bogorodicë” është vërejtur rritje e frekuentimit të veturave, koha e pritjes për dalje nga shteti është rreth 2 orë, ndërsa për hyrje në Pikën Kufitare “Tabanoc” rreth 30 minuta”. Në pika tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dale nga shteti”, thanë nga Auto Moto Lidhja e Maqedonisë.
• Për hyrje në Greqi pritje deri në dy orë
• Në Tabanoc pritet rreth gjysmë ore
Ndërkohë Dogana e Maqedonisë njoftoi se të hënën kolegët e tyre nga pala greke kanë paralajmëruar grevë për çka do të ketë pengesa për kalim.
“Të hënën, më 27 korrik, në periudhën nga ora 06:00 deri në 10:00 sipas kohës së Greqisë (përkatësisht nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë së Veriut), në të gjitha pikat kufitare të Greqisë është paralajmëruar grevë e nëpunësve doganorë. Sipas njoftimit, gjatë ndërprerjes së punës, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë në mënyrë periodike. Qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave gjatë kësaj periudhe do të jetë plotësisht i ndërprerë, me përjashtim të automjeteve që transportojnë mallra që prishen lehtë”, theksuan nga Dogana e Maqedonisë së Veriut.
• Doganierët të hënën në protestë, do të ketë ndalesa
• Mjetet transportuese nuk do të mund të kalojnë
Shërbimet rrugore të vendit paralajmërojnë shoferët për kujdes të shtuar në zona të caktuar për rrëshqitje të dheut, veçanërisht në seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Strugë – Vinicë, por edhe Koçan – Dellçevë./Alsat.mk.








