Rama: Armëpushim i menjëhershëm dhe rifillim negociatash mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Kryetari i OSBE-së, njëkohësisht Kryeministri dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, bëri thirrje për çtensionimin urgjent të situatës mes Azerbajxhanit dhe Armenisë si edhe për rifillimin e negociatave mes dy vendeve lidhur me rajonin e diskutueshëm të Nagorni-Karabahut.

“Unë i nxis të gjitha palët e përfshira që t’i rikthehen menjëherë armëpushimit, para se numri i viktimave të këtij konflikti të rritet më tej”, deklaroi Rama.

Rama vuri në dukje se Bashkëkryetarët e Grupit të Minskut të OSBE-së dhe Përfaqësuesi Personal i Kryesuesit të Përgjithshëm, Ambasadori Andrzej Kasprzyk, kanë qenë në kontakt të ngushtë me palët.

Rama mbështet plotësisht përpjekjet e tyre për të stabilizuar situatën në terren dhe theksoi se ”nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç një zgjidhjeje paqësore të negociuar të konfliktit”.

Ai nënvizoi mbështetjen e tij për përpjekjet e bashkëkryetarëve për të rifilluar negociatat thelbësore pa parakushte, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rama gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e atyre që kanë humbur jetën në këtë konflikt.

LEXO EDHE:

Back to top button