Raporti i KE-së: Progres i kufizuar në zbatimin e reformave
Vendi duhet të vazhdojë dhe të thellojë zbatimin e reformave, para së gjithash në të mirë të qytetarëve të saj, vlerësoi ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, pasi dorëzoi te autoritetet vendase raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut. Gir deklaroi se mbështetja që Komisioni jep nuk është vetëm retorikë por përcaktim për ta çuar Shkupin drejt marrjes së datës.
Edhe pse ne jemi duke i vënë në kontekst të zgjerimit, këto reforma janë shumë në interes të qytetarëve të vendit dhe gjithashtu sigurojnë prosperitet, siguri dhe përgjegjësi demokratike, gjëra për të cilat qytetarët janë të interesuar. Me rëndësi është që ky raport të lexohet dhe që vrulli për zbatimin e reformave të mbahet, madje edhe të rritet. Këto reformat janë të rëndësishme që vendi të jetë i gatshëm të merret me sfidat në të ardhmen si rrethanat e jashtme, jo vetëm pandemia por edhe shoku ekonomik – deklaroi Dejvid Gir, ambasador i BE-së.
Qeveria është e kënaqur nga vlerësimi që i ka bërë KE-ja punës së saj. Zv/kryeministri Nikolla Dimitrov përsëriti pritshmëritë për marrjen e datës si mundësi për ruajtjen e besueshmërisë së BE-së në rajon.
Edhe kur ka raport pozitiv dhe nuk ka veprim, kjo kuptohet se ka ndikim në vetë vlerën e këtyre raporteve dhe kjo është normale. Për shkak se jemi në periudhë zgjedhore, edhe pse janë zgjedhje lokale, a do të arrijë BE-ja të japë rezultate atëherë kur vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë rezultate, atëherë kjo gjithashtu do të ketë ndikim nëse politikat pro-evropiane do të vlerësohen nga ana e vetë votuesve – tha Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Komisioni Evropian një ditë më parë publikoi raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese. Aty u theksua progresi por në mënyrë plotësuese edhe fushat që kanë shënuar ngecje. Sipas KE-së, Qeveria duhet të mbajë vrullin e reformave dhe të përqendrohet në zbatimin e ligjeve ekzistues në vend që të nisë nisma të reja sporadike, progres i kufizuar është arritur në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së dhe Komisionit të Venecias për legjislaturën zgjedhore kurse nevojiten përpjekje për të forcuar rolin e Parlamentit si një vend për dialog politik konstruktiv. Kujdes i madh duhet të bëhet në përdorimin e procedurave të shpejta, të cilat kërkohet të kufizohen. Puna parlamentare megjithatë u pengua nga polarizimi politik, thuhet më tej në raport, i ndikuar edhe nga COVID-19.
Në raport thuhet se rekomandimet për organizimin e ri të organeve të administratës shtetërore me korniza të përmirësuara të llogaridhënies duhet të futen në legjislacionin përkatës.
Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut është deri diku i përgatitur, vlerëson KE. Nevojitet përgatitje për zbatimin e strategjisë për reformën në drejtësi. Edhe përgatitja institucionale për të luftuar korrupsionin është në nivel të moderuar. Më shumë duhet bërë për të përmirësuar efektivitetin e zbatimit të ligjit në luftimin e formave të caktuara të krimit, të tilla si pastrimi i parave dhe krimet financiare.
Fatlume Dervishi






