Rasti “Alsat”, Kovaçevski: Institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin

Rasti “Alsat”, Kovaçevski: Institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin

Gazetar: Adrian Kerimi

I pari i Qeverisë garanton se do të merren në konsideratë të gjitha rrethanat mbi kontestin pronësor të Televizionit Alsat. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski tha se është i njoftuar në hollësi me këtë çështje, por duke mos shpalosur se çfarë do të ndërmerr Qeveria për të zgjidhur këtë problem. Ai tha se kontesti është trashëguar nëpër mandatet e 5 ministrave të Financave dhe se institucionet vendase duhet të veprojnë në përputhje me ligjin kur bëhet fjalë për investime private.

“Jam i informuar me rastin, detajet nuk i di të gjitha për shkak se për atë rast ekziston procedurë juridike, për të cilën procedurë janë të kyçura organet e duhura, por janë të kyçura edhe organet e shtetit. Bëhet fjalë për rast të vjetër në mandat të 5 ministrave të financave. Atë që unë mund ta them si kryeministër është se të gjitha institucionet në suaza të shtetit lidhur me këtë rast, por dhe rasteve të tjera ku bëhet fjalë për investime private duhet të veprojnë në pajtim me ligjin, t’ju përmbahen vendimeve ligjore të cilat miratohen nga ana e gjykatave përkatëse, në punën e të cilave nuk guxon të përzihet asnjë organ shtetëror”, deklaroi Dimitar KOvaçevski, kryeministër.

YouTube video

I pyetur për rëndësinë e sigurisë së investitorëve në vend dhe klimën e biznesit, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se çdo investitori duhet t’i garantohet siguri veprimi.

“Çdo investitor në RMV duhet të ndjehet i sigurt për shkak se ligjet janë të njëjta dhe sundimi i ligjit nuk ka standarde të dyfishta. Nëse lindin mosmarrëveshje në periudhën e investimeve janë institucionet gjyqësore të cilët duhet të sjellin vendimet adekuate. Për çështjen e Alsatit, mendoj që duhet të presim vendimin final të gjyqësorit dhe pastaj të themi nëse me të vërtetë duhet të intervenohet ndoshta në aspekt ligjorë ose jo”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

Derisa krerët e organit ekzekutiv bëjnë thirrje që gjithçka të zbatohet në përputhje me ligjin, Ministria e Financave vazhdon të heshtë. Për rastin konkret janë njoftuar edhe përfaqësitë e huaja diplomatike. Një pjesë e pronës së Televizionit Alsat u gjet në kontest gjyqësor falë një hipoteke e cila daton nga vitit 1993, por që nuk ishte evidentuar në asnjë listë pronësore nga viti 2006 kur ishte blerë prona deri në vitin 2013. Në vitin 2016 Alsat kishte fituar procesin gjyqësor, ndërsa Gjykata Civile një vendim në favor të televizionit solli edhe në mars të këtij viti. Një muaj më vonë, më 28 prill Gjykata e Apelit hodhi poshtë masën e përkohshme duke i mundësuar përmbaruesit dhe Ministrisë së Financave të vendos në shitje publike pronën e Alsat nga data 1 mars. Për këtë vendim, kompania e cila menaxhon me televizionin Alsat, “VeVe Grup” vlerëson se është sjell si pasojë e presionit politik./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button