Rasti Rashkovski, Spasovski: Nuk kam pasur njohuri për souftuerin

Rasti Rashkovski, Spasovski: Nuk kam pasur njohuri për souftuerin

Gazetar: Ardit Ramadani

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski nuk ka qenë i informuar për prokurimet për të cilat tash e disa muaj akuzohet ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski. Spasovski duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, potencoi se nuk i kujtohet se në ndonjë seancë qeveritare ishte diskutuar për këtë.

“Nuk është diskutuar në seancë qeveritare. Në përputhje me punët e sekretariatit të përgjithshëm të qeverisë dhe sekretarit të përgjithshëm, në qoftë se ka pasur plan për një sistem të tillë, vendimet i sjellë vetë sekretariati”, tha Oliver Spasovski, Ministër për Punë të Brendshme.

Spasovski shtoi se ky furnizim nuk është diskutuar sepse blerjet e bëra nga Qeveria janë në juridiksionin e Sekretariatit të përgjithshëm dhe në qoftë se ka plan, sekretariati vetë i merr vendimet. Në përgjigje të pyetjeve të prokurores, Spasovski tha se gjithashtu nuk e ka ditur as edhe se është blerë sistem identifikimi biometrik.

Rashkovskit i pëlqeu dëshmia e ministrit Spasovski dhe theksoi se deklaratat e këtij të fundit mbështesin tezën se ai është i pafajshëm. Rashkovski ishte i prerë se softueri ishte porositur vetëm për realizim të analizave dhe jo të dënojë përmes tij.

“Sot edhe vetë ishit dëshmitar se e kemi thyer tezën e fundit të prokurorisë se softueri është i porositur për nevoja të MPB-së. Softueri siç tha edhe ministri, ishte i porositur për nevoja të Qeverisë, në kuadër të realizimit të aktiviteteve të tyre dhe obligimeve ligjore, për realizim të analizave”, deklaroi Dragi Rashkovski, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë, i akuzuar.

Aktakuza përfshinë blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush. Aktakuza përfshin edhe pagesën e tarifave nga e cila sipas prokurorisë ka marrë pjesë edhe ish-sekretari i përgjithshëm. Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash. Me të akuzohen edhe gjashtë persona të tjerë: Ivica Dimitrovski, Igor Hristov, Daniel Stançev, Irena Ivanovska, Igor Ivanovski dhe Maja Siljanovska./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button