Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, të dielën do të votojnë 1,013,375 qytetarë

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, të dielën do të votojnë 1,013,375 qytetarë

Gazetar: Zekirija Ismaili

Kandidatët për kryetarë komunash edhe sot e kanë mundësinë për të bindur qytetarët që t’i votojnë pasi nga mesnata fillon heshtja zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën më 2 nëntor dhe përfundon pikërisht atë ditë në ora 19:00. Në rrethin e dytë do të votohet në gjithsej 33 komuna përfshirë këtu dhe Qytetin e Shkupit. Në tre vendvotime në Shuto Orizare do të ketë rivotim për këshilltarë komunalë, pasi Gjykata Administrative i shfuqizoi rezultatet pas parregullsive të konstatuara. Në katër komuna ku nuk u arrit censusi në rrethin e parë më 19 tetor, do të ketë përsëritje të zgjedhjeve, 60 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga zgjedhjet lokale. Bëhet fjalë për Gostivarin, Vrapçishtin, Qendër Zhupën dhe Mavrovë- Rostushën.

Në zgjedhjet e së dielës fokusi kryesor do të jetë në kryeqytet ku të drejtë vote kanë 474,394 votues. Votime do të ketë edhe ditën e nesërme. Votojnë të sëmurit dhe të burgosurit. Sipas të dhënave nga KSHZ, për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, për të votuar janë paraqitur 4826 të sëmurë dhe të pamundur, ndërsa më së shumti janë nga Kërçova dhe atë 823.

Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu gjatë procesit të votimit, nga ora 07 deri në ora 19 do të ketë të hapur linjë telefonike falas për paraqitjen e shkeljes të së drejtës zgjedhore. Qytetarët këtë mund ta bëjnë në numrin e telefonit: 0800-54321.

Votimet do të vëzhgohen nga 1569 vëzhgues, 904 vendorë dhe 651 ndërkombëtarë, ndërsa për raportim janë akredituar dhe 14 gazetarë të huaj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button