Refuzohet kërkesa e Thaçit për lirim të përkohshëm

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Hagës, Nicolas Guillou, e refuzoi kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për lirim të përkohshëm. Thaçi ndodhet në objektet e paraburgimit në Hagë qysh në fillim të nëntorit, kur është arrestuar nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e tij e ka paraqitur kërkesën për lirim të përkohshëm qysh më 4 dhjetor.

Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, refuzimi i kërkesës për lirimin e përkohshëm të Thaçit arsyetohet me Nenin 41(6)(b) të Ligjit.

Ky nen, mes tjerash, përfshin: rrezikun nga arratisja, rrezikun nga shkatërrimi, fshehja, ndryshimi ose falsifikimi i provave, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

 

LEXO EDHE:

Back to top button