Rekord i ri rastesh ditore të koronavirusit në nivel global

Rëndohet bilanci edhe në vendet e rajonit me virusin korona, me rreth 10% nivelin e rritjes së pandemisë në baza ditore. Në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike raportoi se gjatë 24 orëve të fundit nga testimi i 764 mostrave, janë konfirmuar 79 persona me korona virus edhe për tre raste të vdekjes nga sëmundja COVID-19. Deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 16 mijë të infektuar, prej të cilëve 641 kanë vdekur.

Ndërkaq, edhe vendet e Evropës tani më janë zhytur në valën e re të pandemisë, ku vetëm Qendra për kontrollin e sëmundjeve në Gjermani, raportoi 4.516 raste të reja me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit ndërsa shumë qytete tani kanë arritur nivelin kritik të 50 rasteve të reja për 100 mijë banorë.

Qeveria spanjolle shpall gjendje të jashtëzakonshme në Madrid. Kjo vjen ndërsa gjykata e lartë në Madrid refuzoi të enjten masat e detyruara në rajon nga qeveria qendrore, të cilat përfshinin bllokimin e pjesshëm të kryeqytetit spanjoll dhe nëntë komunave fqinje.

Numri i infeksioneve të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) të raportuara në Republikën Çeke ishte më i larti për të tretën ditë radhazi. Me 5.394 raste të reja, numri i përgjithshëm në vend që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në mbi 100 mijë.

Rekord i ri rastesh ditore të koronavirusit janë regjistruar edhe në nivel global: në 24 orët e fundit, sipas OBSH janë regjistruar të paktën 338,779 raste, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.Evropa regjistron tani më shumë se 6.5 milionë raste të koronavirusit sipas organizatës botërore të shëndetësisë. Rastet po rriten thuajse në të gjitha vendet e kontinentit, me shifra shqetësuese që raportohen çdo ditë.

LEXO EDHE:

Back to top button