Reshjet e borës të ditëve të fundit kanë bllokuar shumë fshatra malorë

Reshjet e borës të ditëve të fundit kanë bllokuar shumë fshatra malorë

Gazetar: Mefail Ismaili

Reshjet e borës kanë bllokuar në tërësi fshatrat Cërni Vrv dhe Ellovë në Komunën e Stueniçanit. Banorët kanë mbetur të ngujuar me ditë të tëra. Shkollat kanë mbetur të mbyllura, ndërsa nxënësit nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë.

“Borë ka, koha është e ligë, rrugët janë të bllokuara, pastrim nuk kanë bërë. Fshati Ellovë dhe Cërni Vërv, ne të dy fshatrat jemi prej lartë… Nuk ka filluar as shkolla, sepse rruga është e bllokuar prej ku do të fillojë… Nuk ka ndihmë, vetëm hoxha kur të vjen ditën e Xhuma na sjell ndonjë gjë nëse na duhet, nëse vjen – vjen, nëse nuk vjen shëndosh, atë që e kemi nuk ka tjetër”, tha Rruzhdi Baftijari, banor i fshatit Cërni Vërv.

Po ndryshe nga banorët kreu i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku thotë se rrugët nuk janë tërësisht të bllokuara.

“Nuk janë rrugë të bllokuara, rruga është e lëvizshme, por pjesa prej fshatit Ellovë deri në fshatin Maja e Zezë diku ka edhe ngrica më të mëdha kështu që pak është vështirë me vetura me goma të verës të dilet. Kurse me vetura me xhipa shumica e qytetarëve të Majës së zezë janë të përgatitur dhe gjatë gjithë kohës ka lëvizur rruga, mirëpo edhe tash ne do të angazhojmë makineri dhe do ti pastrojmë edhe atje rrugët”, u shpreh Azem Sadiku, kryetar i Komunë së Studeniçanit.

Ndërsa nga Qendra për Menaxhim me Krizat njoftojnë se rrugë të bllokuara ka edhe në fshatra të disa komunave të tjera si në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, në Tetovë fshatrat drejt Kodrës së Diellit, si dhe rrugë të fshatrave nga Gostivari për në Kërçovë dhe Mavrovë e Rostushë.

“Ende është aktive ndalesa në rrugët malore Strazhë dhe Presekë për automjetet e rënda të ngarkuara, më pas në rrugët Mavrovë – Dibër dhe Strugë – Qafëthanë”, the Ilija Bojarovski, QMK.

Nga Qendra e Menaxhimit të Krizave thonë se e rrezikshme për tu qarkulluar është rruga magjistrale A2 në Sveti Nikollë ku 10 kilometra para  Milladinovcës është ngushtuar rruga rreth 150 metra për tu pastruar nga rrëshqitja e dheut./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button