Revizioni/ Me vite ka ngecur miratimi i Ligjit të ri i cili parashikon pavarësi financiare

Revizioni/ Me vite ka ngecur miratimi i Ligjit të ri i cili parashikon pavarësi financiare

Gazetar: Suad Bajrami

Enti Shtetëror i Revizionit tanimë disa vite po e pret ligjin e ri që e kërkon Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryerevizori i Shtetit, Orhan Ademi në intervistën për Alsat theksoi domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji me qëllim të pavarësisë financiare dhe operative të institucionit që kontrollon se si institucionet i përdorim burimet shtetërore.

Ndonëse procesi ka filluar në vitin 2020, propozim-ligji ka ngecur në ENER që në vitin 2023 kur me financat udhëhiqte Fatmir Besimi.

“Propozim-ligji është dorëzuar në Ministrinë e Financave, na është premtuar që deri në maj të këtij viti do të dërgohet në Qeveri pastaj në Kuvend, me çka duhet të miratohet dhe të aprovohet ky ligj i ri i Revizionit shtetëror në përputhje me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Orhan Ademi, Zv.Kryerevizor i Shtetit.

Alsat kërkoi qëndrim nga Ministria e Financave, megjithatë deri në publikimin e kronikës nuk dhanë përgjigje. Nga ana tjetër, ndonëse revizorët shpesh konstatojnë shkelje ligjore nëpër raportet e tyre, efektiviteti i institucioneve ligjzbatuese është i ulët.

“Nga viti 2018 deri në vitin 2025, janë dorëzuar gjithsej 144 raporte të revizionit në Prokurorinë Publike. Prej të cilave, për 104 raporte të revizionit kemi informacione kthyese, për 63 raporte të revizionit janë në procedurë parahetimore, kurse për 5 raporte është ngritur aktakuzë, siç e kemi rastin e Onkologjisë, Spitalit shtetëror në Prilep si dhe blerja e mazutit nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut. Kurse aktgjykimet që janë sjellë në lidhje me raportet e revizionit, janë diku 2”, tha Orhan Ademi, Zv.Kryerevizor i Shtetit.

Ademi theksoi nevojën që raportet e revizionit të jenë pjesë e debatit në Kuvend, ndërsa përtej kësaj duhet të jetë dhe kategori kushtetuese. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button