Rexhepi: Bashkëpunimi AAA-BESA, për të shtyrë vdekjen politike

Rexhepi: Bashkëpunimi AAA-BESA, për të shtyrë vdekjen politike

Deputeti i pavarur, Skender Rexhepi, nuk pret një bashkëpunim të suksesshëm mes Alternativës dhe Besës, dy partitë të cilat dikur ishin në të njëjtin trung nga vjen edhe vetë Rexhepi. Në Intervistë për Rruga drejt, Rexhepi thotë se bashkëpunimi eventual i paralajmëruar mes dy partive vjen si rezultat i përpjekjes së tyre për të shmangur zhbërjen. Ai pret llogaridhënie nga kreu i Alternativës Gashi, para strukturave të partisë, për gjendjen në të cilën ndodhet Alternativa. Intervistën e plotë do ta ndiqni sonte në 22.20 në Alsat.

Në çfarë kushtesh do të ishte i suksesshëm ose afatgjatë një bashkëpunim mes Besës dhe Alternativës?

“Nuk do të ishte fare. Ja e them publikisht, nëse vetëm shkojnë në zgjedhje Besa dhe Alternativa, në njësinë zgjedhore numër një dhe dy nuk do të kenë fare deputetë. Ata shpresojnë në votën e nesërme të Grupit të zjarrit bashkërisht që kështu të mund të bashkëngjiten në karvanin e deputetëve por besoj se llogaria do ju dalë ndryshe pasi në tavolinë kur të ulen tre subjekte politike për të ndarë mandate, ndryshe do të jetë ndarja. Sukses nuk mund të kenë dy njerëz që janë ndarë nga mendjemadhësia ndërsa tani duan të afrohen nga vogëlsia dhe frika prej zhbërjes. Këto në këtë rast nuk ka sukses por vetëm mund ta shtysh vdekjen politike pak më vonë. Në skenën politike do të ketë një verë mjaft të ngrohtë. Do të shihni shumë shpejt lëvizje edhe te Alternativa sepse do t’i kërkohet llogaridhënie kryetarit të partisë për dështimet e tij”, deklaroi Skender Rexhepi, deputet i pavarur.

Prisni zëvendësim të z. Gashi?

“Jo pres llogaridhënie të ketë nga vetë ai. Normal edhe unë kam thënë që nuk braktis idenë e Alternativës por nuk jam pjesë e asaj deri sa është në krye një kryetar dhe një sekretar i tillë siç janë ato dy të cilët po të kishin pasur grimcën e kredibilitetit politik moti do të ishin tërhequr”, u përgjigj Skender Rexhepi, deputet i pavarur. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button