Rezultat i ngushtë në zgjedhjet presidenciale në Turqi

Rezultat i ngushtë në zgjedhjet presidenciale në Turqi

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka udhëhequr vendin për 20 vjet, po përballet me një rezultat të ngushtë nga votimet në zgjedhjet presidenciale në Turqi. Votat po vazhdojnë të numërohen, por pothuajse është e qartë se do të ketë një balotazh midis Erdoganit dhe kundërshtarit të tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu. Nga numërimi i rreth 99.9 për qind të votave Erdogan ka marrë 49.5 për qind, Kilicdaroglu, rreth 45 për qind, ndërsa kandidati i tretë Sinan Ogan mori 5.2%. Duke folur para mbështetësve në Ankara, Erdogan tha se ai ende mund të fitonte, porse do të respektonte vendimin e qytetarëve nëse gara shkon drejt një balotazhi pas dy javësh.

“Ne ende nuk e dimë nëse zgjedhjet përfunduan në rundin e parë. Nëse kombi ynë ka zgjedhur për një rund të dytë, kjo është gjithashtu e mirëpritur. Ne besojmë se do ta mbyllim këtë raund me mbi 50 për qind të votave të fituara”, deklaroi Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë.

Nga ana tjetër Kilicdaroglu dukej shpresëdhënës për një fitore në raundin e dytë. Ai tha se Erdogan kishte humbur besimin e popullit.

“Rezultatet tregojnë se Erdogan nuk arriti të merrte besimin që priste. Gjatë 15 ditëve të ardhshme me popullin tonë, për Turqinë, do të bëjmë çmos për të sjellë të drejta dhe drejtësi. Populli ynë duhet të jetë i sigurt se ne do të fitojmë absolutisht dhe do të sjellim demokracinë në këtë vend”, tha Kemal Kilicdaroglu, kandidat për president.

Në zgjedhjet e së dielës në Turqi gjithashtu u votua edhe për 600 ulëse në Parlament. Me numërimin e shumicës së votave më shumë ulëse ka fituar partia e Erdoganit në pushtet edhe atë 322, ndërsa e dyta renditet opozita e bashkuar me 213 ulëse, e treta një parti pro kurde me 65 ulëse. Zgjedhjet e këtij viti në Turqi u përqendruan kryesisht në çështjet e brendshme si ekonomia, të drejtat civile dhe tërmeti i muajit shkurt që la të vdekur më shumë se 50.000 njerëz. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button