Rezultati, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Rezultati, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Gazetare: Fatlume Dervishi

Rezultati i zgjedhjeve të një dite më parë në Tetovë ka shtyrë parti të opozitës të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. VMRO-DPMNE-ja thotë së rezultati vërtetoi se në nivel të shtetit, VMRO-DPMNE-ja ka 400 mijë vota dhe në zgjedhje parlamentare do të merrte 55 deputetë kurse LSDM-ja me koalicionin 200 mijë vota, gjegjësisht 27 deputetë.

“Në dhjetë qytetet më të mëdha të Maqedonisë, qeveria është e delegjitimuar tërësisht, në Shkup, në Tetovë, më herët në Gostivar, në Kumanovë, Manastrit, Prilep, Ohër, Shti, Koçan dhe në shumë vende të tjera. Kjo do të thotë se sa më shpejt që është e mundur Maqedonia duhet të shkojë në zgjedhje, sa më shpejt Maqedonia duhet të ketë qeveri e cila është e aftë dhe e përgjegjshme dhe e cila do ta drejtojë vendin në këtë krizë të vështirë që vjen dhe për të cilën qeveria është tërësisht e papërgatitur”, tha Vllatko Gjorçev, VMRO-DPMNE.

Kreu i Besës Bilall Kasami menjëherë me festimin e fitores tha se me zgjedhjet në Tetovë u delegjitimua pushteti i BDI-së.

“Për një periudhë të shkurtër, ne dy herë e fitojmë BDI-në dhe sigurisht që legjitimiteti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk është më me BDI-në, andaj ne edhe një herë nga Sheshi i Tetovës, kërkojmë zgjedhje të parakohshme që, vullneti i shqiptarëve nga Struga në Kumanovë të vijë në vend, dhe përfundimisht shqiptarët të kenë një përfaqësues të denjë edhe në pushtetin qendror ashtu si veç më e kanë në Tetovë. Kërkojmë zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Por, pushteti nuk pranon të ketë pasur humbje. Sipas LSDM-së, zgjedhjet e një dite më parë ishin disfatë për VMRO-DPMNE-në në Mavrovë-Rostushë dhe në Qendër-Zhupë.

“Atë që mund ta themi dhe të cilën e panë qytetarët është se në ballafaqimin e parë të Hristijan Mickoskit me kryetarin e LSDM-së Dimitar Kovaçevski, Mickoski përjetoi disfatë. Atë që VMRO-DPMNE-ja përpiqet ta prezantojë në publik si triumf nuk është aspak ashtu. Më në fund duhet të ballafaqohen me rënien drastike dhe të vazhdueshme që e kanë në secilin cikël zgjedhor, në vend që të prezantohen si fitues”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare erdhi menjëherë pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar kur në shumë komuna VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin i cili më herët kishte qenë i LSDM-së./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button