Rifillojnë negociatat mes Britanisë dhe BE-së mbi marrëdhënien post-Brexit

Negociatat mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian mbi marrëdhënien post-Brexit rifillojnë sot në Londër, me shpresën për të kapërcyer mosmarrëveshjet e mëdha të nënvizuara nga dy palët, pavarësisht kohës së paktë që ka mbetur.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri britanik, Boris Johnson bënë vlerësime për këto diskutime që u zhvilluan të shtunën.

“Disa avancime janë bërë, por mosmarrëveshje të mëdha ekzistojnë, veçanërisht në sektorin e peshkimit dhe garancitë që kërkon BE përsa i përket konkurrencës”, nënvizoi Von der Leyen në Twitter.

“Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë shumë javën e ardhshme dhe ne do të mbetemi në komunikim të ngushtë në ditët e ardhshme”, shtoi shefja e ekzekutivit europian.

Konstatim i ngjashëm edhe nga ana e Downing Street: “Mosmarrëveshje të mëdha ekzistojnë për një numër çështjesh duke përfshirë këtu peshkimin dhe të ashtuquajturën kornizë të pa shtrembëruar për konkurrencën”, nënvizoi një zëdhënës në një komunikatë.

Koha po mbaron dhe mesi i muajit nëntor është konsideruar si afati i fundit për të qenë në gjendje për të ratifikuar një marrëveshje në kohë që ajo të hyjë në fuqi në 1 Janar 2021, në fund të periudhës së tranzicionit.

Britania e Madhe u largua nga BE në 31 janar, por ajo do të vazhdojë të zbatojë rregullat e BE deri më 31 dhjetor, një periudhë tranzicioni që lejon Londrën dhe Brukselin të negociojnë një marrëveshje mbi marrëdhëniet e tyre të ardhshme tregtare.

Në mungesë të një marrëveshjeje, një ndërprerje e papritur e tregtisë do të trondiste më tej ekonomitë e dobësuara tashmë nga pandemia e koronavirusit.

LEXO EDHE:

Back to top button