Rishikimi i Badenterit/ Partitë politike shqiptare kundërshtojnë ashpër Fillkovin
Rishikimi i Badenterit/ Partitë politike shqiptare kundërshtojnë ashpër Fillkovin
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Partitë politike shqiptare kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të drejtësisë Igor Fillkov për atë se ka ardhur koha të rishikohet badenteri, shkruan Alsat.
Nga BDI, thonë se kjo ide është një nga tentimet e Qeverisë siç e quajnë monoetnike për të sulmuar Marrëveshjen e Ohrit. Përmendin edhe rastet e kaluara ku temë diskutimi ka qenë balancuesi por edhe gjuha shqipe.
“Ide të këtilla janë tejet të rrezikshme, për acarim të marrëdhënieve ndëretnike deri në rrënim të marrëdhënieve ndëretnike. Prej fillimit kemi thënë se kjo qeveri ka një plan sistematik për ta sulmuar Marrëveshjen paqësore të Ohrit dhe kjo është vërtetuar është verifikuar me një sërë veprimesh”, tha Arbër Ademi – Zëdhënës i BDI-së.
Për rishikimin e badenterit reaguan edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Nga atje kërkojnë nga ministri Fillkov që urgjentisht të tërheqë fjalët e thëna dhe të kërkojë falje. Madje konsiderojnë se duhet marrë në pyetje nga Prokuroria Publike, pasi sipas tyre, sfidon rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit
Nga ana tjetër nga koalicioni VLEN ia bëjnë të qartë ministrit Fillkov se çështja e badenterit është temë e mbyllur. Votimi i dyfishtë është mekanizëm kushtetues që garanton mbrojtjen nga mbivotimi dhe siguron barazinë reale mes komuniteteve, thonë nga VLEN.
“Çdo ide për ta rishikuar atë në kontekstin politik nënkupton tentativë për të rishkruar procesin e shtetndërtimit pas MO-së, ndërsa në aspektin normativ, nënkupton ndryshime kushtetuese për të reduktuar të drejtat e shqiptarëve. As e para, as e dyta nuk do të ndodhin! Politikanët dhe subjektet politike që mendojnë se mund të përfitojnë pikë politike me retorikë shoviniste, kanë dështuar gjithmonë dhe do të dështojnë sërish. Filkov bën mirë të merret me forcimin e subjektit të tij politik dhe me listën e gjatë të ligjeve që presin miratim si pjesë e paketës së reformave në drejtësi…”, thonw nga VLEN.
Badenteri ose shumica e dyfishtë shërben për miratim të ligjeve që janë me interes të të gjitha komuniteteve dhe për t’i mbrojtur ata nga majorizimi. Ai definon votimin e dyfishtë në organet legjislative, ku përveç shumicës absolute, duhet të votojnë me shumicë edhe deputetët, të cilët nuk janë pjesë e komunitetit maqedonas, aty ku me ligje preken çështje të tilla si: përfaqësimi, gjuha, arsimi, kultura dhe çështjet religjionit të popujve joshumicë në shtet./ Alsat.mk








