Rishikimi i buxhetit, vijojnë afatet për ndihmën financiare

Të Premten, Qeveria do të miratojë programet nga pakoja e katërt dhe më së voni deri të martën, do të shpallen të gjitha masat për të cilat kompanitë duhet të aplikojnë. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se shpallja për blerjen e makinerive do të publikohet këtë javë.

Nga e hëna ose e marta, do të shpallen të gjitha masat e zbatuara nga Ministria e Ekonomisë, edhe në pjesën e kthimit të taksës turistike edhe grantet për agjencitë turistike, udhëzuesit turistik, dhe këndet e lojërave. Dhe deri në fund të kësaj jave, do të shpallet thirrja për mbështetje për furnizimin e pajisjeve dhe lëndëve të para për të gjithë zejtarët- deklaroi Kreshnik Bekteshi Ministër i Ekonomisë.

Zbatimi i masave nga pakoja e katërt varej nga rebalanci i buxhetit. Pasi mbrëmë deputetët miratuan rebalancin e dytë të buxhetit të shtetit, këtë vit pason aplikimi i kompanive për marrjen e ndihmës shtetërore për mbështetjen e ekonomisë. Sipas planit, 83 mijë punëtorë do të marrin subvencione në formë të rrogave, edhe atë nga minimum 14,500 deri në 21,800 denarë.

Kartelat pagesore në vlerë prej 6000 denarë janë siguruar për 283 mijë qytetarë. Qëllimi është përforcimi i fuqisë blerëse të qytetarëve dhe rritja e konsumit të produkteve vendase. Për më tepër, për kompanitë parashihen lehtësime tatimore, kredi pa interes dhe grante që duhet t’i ndihmojnë në përmirësimin e likuiditetit të tyre. Biznesmenët i vlerësuan masat si të mira për biznesin kurse opozita beson se nuk do ta ndihmojnë sektorin privat dhe punëtorët, por thonë se paratë do të harxhohen pa dhënë ndonjë efekt pozitiv. Ndryshe, me rebalancin e buxhetit, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 3.1 miliardë euro kurse është planifikuar të shpenzohen 4.1 miliardë euro, që është 5.5 % më shumë se buxheti i parashikuar fillimisht i vendit.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button