Rivendoset komunikimi Shkup-Sofje, Zaev dhe Janev dakordojnë hapat e ardhshëm

Kryeministri Zoran Zaev pajtohet me qëndrimin e Presidentit bullgar Rumen Radev se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet ta zgjidhin kontestin në Shkup e Sofje dhe jo në Bruksel. Udhëtimi i përbashkët i dy presidentëve Radev dhe Pendarovski në Romë dhe Vatikan i ka hapur rrugën një komunikimi ndërqeveritar.

Miqtë që duan të na ndihmojnë janë gjithmonë të mirëseardhur por definitivisht kjo është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale. Dje kisha edhe një bisedë me kryeministrin bullgar i cili ishte shumë miqësor. U dakorduam për hapat e ardhshëm të cilat do të konfirmohen edhe nga ana e tyre, sigurisht, varësisht lajmeve që do të na i sjellin të dy Presidentët. Por, vetë biseda që patëm e konfirmoi miqësinë e madhe mes dy vendeve tona”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Opozita maqedonase nuk e komenton deklaratën e Radevit. Partia opozitare ka kërkuar që BE-ja të fillojë menjëherë negociatat dhe të mos bëhet asnjë marrëveshje që do të prekte identitetin. Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thotë se qeveria nuk ka arritur të ndikojë te Bullgaria përmes BE-së për të tejkaluar problemin. Zgjidhja sipas tyre është qeveria e zgjeruar dhe zgjedhjet e reja.

Nuk është e shëndoshë të komentojmë qëndrimet shtetërore të një vendi anëtar të BE-së drejtuar qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, kjo deklaratë e Presidentit Radev flet për dështimin e përpjekjeve të pushtetit SDSM-BDI për t’i bërë presion Bullgarisë përmes shteteve tjera anëtare të BE-së. Përpjekjet e tilla, ne i kemi denoncuar me kohë si amatorizëm i skajshëm diplomatik, që tregonin për mosnjohje të thellë të mënyrës së funksionimit të BE-së”, thonë nga ASH – AAA.

Ekspertët thonë se është në dobinë tonë që këtë çështje ta zgjidhim në mënyrë bilaterale. Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane mendon se retorika e Bullgarisë ndaj kontestit me Maqedoninë e Veriut është zbutur gjatë ditëve të fundit.

Mendoj se deklarata e Radevit na çon drejt asaj që e pranoi edhe vetë, për presionet që bëhen në nivel evropian dhe që mohoi t’i quaj “presion” por i quajti “vëmendje” ndaj Bullgarisë rreth kësaj çështje. Është e qartë se vendi fqinj është izoluar për shkak të kësaj çështje por kjo nuk e ndryshon faktin që ne e kemi patjetër të gjejmë zgjidhje. Është e qartë se gjatë ditëve të kaluara se retorika që e përdorin politikanët bullgarë është më e butë se rasti me ish ministrin Karakaçanov, është e dukshme se situata po qetësohet dhe krijon klimë më të qëndrueshme për diskutime”, pohoi Simonida Kacarska, eksperte.

Radev dhe Pendarovski sot e përfunduan vizitën zyrtare treditore në Itali. Dy presidentët shënuan ditën e Shën Kirilit dhe Metodisë por e shfrytëzuan mundësinë për të diskutuar edhe për kontestin mes vendeve.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button