Qeveria shqyrton vazhdimin e masës për subvencionim të pagave

Rishikimi i paralajmëruar do ta rrisë boshllëkun buxhetor për shkak të një sërë masash anti-krizë. Sipas informacioneve të Alsatit, Qeveria aktualisht po shqyrton mundësinë për të zgjatur masën për të ndihmuar kompanitë të paguajnë pagat nga 14,500 deri 21,700 denarë. Nga Qeveria thonë se ky opsion është në tryezë, por nuk ka marrë vendim. Edhe Ministria e Financave gjithashtu konfirmoi se do të ketë një stimul të ri fiskal me rishikimin e buxhetit.

Në raport me deficitin buxhetor, mund të ketë zgjerim në drejtim të financimit të masave të reja, përkatësisht stimul të ri fiskal për ekonominë dhe qytetarët, siç edhe rekomandon FMN-ja. Në raport me financimin e tij, me qëllim të vendosjes së kapitalit të freskët në vend dhe që mos të krijohet efekt të shtrëngimit të ekonomisë në pjesën e burimeve vendore të financimit, mund të shkohet drejt financimit nga jashtë. Presim 80 milionë euro nga KE, përkatësisht transheja e dytë nga 160 milionë eurot e ndara”, thonë nga Ministria e Financave.

Sipas kryeministrit Zoran Zaev, ndihma duhet të vazhdojë edhe pse nuk ka paralajmërim për valë të re të Pandemisë. Fokusi do të jetë stimulimi i konsumit privat sepse është pjesë vitale e Prodhimit Bruto Vendor, është shprehur Zaev.

Nëse ka nevojë për të rritur deficitin, kjo do të ishte për shkak të vendosmërisë për të vazhduar me ndihmën, jo se presim ndonjë valë të katërt ose të pestë të pandemisë, por që duhet të ndihmojmë sepse pas 15 muajsh, e pamë që çdo ndihmë për qytetarët e varfër, punëtorët dhe kompanitë disi kthehen në buxhetin tonë, kështu që shteti duhet të jetë shërbim”, tha Zoran Zaev, kryeministër i RMV-së.

Sipas informatave të Alsat, janë planifikuar huamarrje të reja, por vetëm nga jashtë vendit. Nga Ministria e Financave nuk tregojnë sa do jetë huamarrje e re, vetëm thonë se presin t’u paguhen 80 milionë euro nga Komisioni Evropian të premtuara vitin e kaluar. Për momentin nuk planifikohet lëshimi i eurobondit të ri. Sipas paralajmërimeve, shkurtim të parave që i kanë shfrytëzuesit e buxhetit do ketë vetëm atje ku ka realizim të vogël të investimeve kapitale, por edhe nëse vetë paraqesin projekte që i kanë premtuar, ndërsa realisht nuk do munden t’i realizojnë. Rishikimi i buxhetit sipas Financave pritet të gjendet në procedurë në Kuvend gjatë muajit të ardhshëm.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button