Rregulla të reja për Agjencinë për Zbulim, Nuhiu: Definohen kompetencat e Agjencisë

Agjencia për zbulim ose e njohur edhe si Agjencia e inteligjencës e cila është nën kompetenca të Presidentit, është institucioni i tretë në shërbimet e sigurisë për të cilën pushteti synon rregulla të reja të funksionimit. Propozim-ligji është në procedurë parlamentare. Zv/ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu vlerëson se synimi i ligjit është të definojë më qartë kompetencat mes Agjencisë për zbulim dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare.

Duke e definuar Agjencinë për zbulim si një shërbim për t’i mbledhur informacionet jashtë vendit tonë dhe të cilat mund të implikohen për sigurinë shtetërore të shtetit tonë, sidomos për pozicionimet dhe strategjitë hibride në qoftë se mund të them, gjeopolitike ose gjeostrategjike në rajon dhe më gjerë, ose çdo konflikt tjetër i jashtëm, ose çdo veprimtari tjetër e jashtme që mundet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të cenojë sigurinë e shtetit tonë – tha Agim Nuhiu, zv/ministër i Drejtësisë.

Nuhiu shton se ligji i ri parashikon kontroll të punës së Agjencisë për zbulim nëpërmjet një komisioni të posaçëm në Kuvend. Sipas tij, janë definuar edhe metodat sekrete dhe burimet e hapura tek të cilat nëpunësit e agjencisë do të kenë qasje si dhe masat operative që ata mund të ndërmarrin.

E përderisa ligjet e tjera që sollën reforma në institucionet e sistemit të sigurisë u përpiluan dhe miratuan me konsensus, kjo nuk ka ndodhur edhe me këtë ligj. Opozita ankohet se edhe përskaj rekomandimeve që të kyçen në përgatitjen e ligjit, ata janë shmangur. Madje akuzojnë se qëllimisht ky ligj nuk është shqyrtuar në komisionin amë, por në Komisionin për çështje evropiane. 13 amendamentet e tyre janë refuzuar.

Me këtë ligj i janë dhënë kompetenca të plota drejtorit të Agjencisë për zbulim pa mundësi për shkarkimin e tij. Me ligj nuk parashihet që Qeveria të mund të kërkojë llogari nga drejtori dhe zëvendësi i tij por ata do të përgjigjen vetëm para Presidentit. Në ligj nuk theksohet se me propozim të kujt Presidenti i emëron drejtorin dhe zëvendësin e tij. Ky propozim-ligj len hapësirë për manipulime gjatë selektimit të të punësuarve, siç ishte rasti edhe me ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare – tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Micevski shton se ligji len hapësirë për keqpërdorimin e dhënies së certifikatave të sigurisë. VMRO-DPMNE-ja Nuk pajtohet me faktin që drejtori parashihet ta bëjë vetë kontrollin e brendshëm dhe që ai nuk obligohet për të dhënë llogari për shpenzimin e mjeteve e padestinuara. Opozita nuk do ta votojë atë.

Debati mbi amendamentet e ligjit u bë larg syve të opinionin sepse, siç ndodh shpesh, u mbajt në një sallë më të vogël ku prezenca e mediave nuk lejohet dhe kushtet teknike nuk mundësojnë transmetimin në faqen elektronike të Kuvendit.

Fatlume Dervishi

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button