“Pastrohen” grumbullimet para Gjykatës Civile në Shkup, por paraqitet një fenomen tjetër

Pas rrëmujës së djeshme para Gjykatës Civile, sot nuk kishte thuajse asnjë njeri që dorëzonte kërkesë për ndihmën financiare për fëmijën e tretë. Këto ditë kishte turma pasi nga 1 deri më 31 janar është afati i fundit që prindërit të aplikojnë që të mund ta përdorin këtë masë gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për 9,000 denarë në muaj. Nëse ditët e kaluara kishte radhë të tëra, ku nuk respektohej distanca e detyrueshme për mbrojtje nga virusi korona, sot qytetarët hynin në gjykatë pa ndonjë problem. Por, atje ndodhi një fenomen tjetër. Për disa nga qytetarët, formularët i plotësonin njerëz që prisnin para gjykatës, pikërisht për këtë qëllim.

“Në fund të orarit të punës këtu në Gjykatën Civile ku dorëzohen kërkesat për fëmijën e tretë, pothuajse nuk ka rrëmujë. Megjithatë, para gjykatës ka persona të cilët u ndihmojnë qytetarëve t’i plotësojnë kërkesat për kompensim financiar ose ua marrin nga 50 denarë për një kërkesë”.

Nga Gjykata Civile theksojnë se i kanë pritur qytetarët dhe paraqitjet për fëmijën e tretë. Ata thonë se kanë punuar pesë sportele në gjykatë, ndërsa kërkesat mund të dorëzohen gjatë gjithë muajit. Presin që deri në fund të janarit të arrijnë më shumë se 10,000 kërkesa. Ditët e fundit, kur kishte kaos përpara ndërtesës së gjykatës, ka pasur përpjekje nga policia gjyqësore, por edhe gjykatësit, për të vendosur rend, por qytetarët nuk i kanë dëgjuar thirrjet për distancë gjë që është e obligueshme edhe në ambient të hapur.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button