Rritet numri i të vdekurve nga vërshimet në Brazil
Numri i të vdekurve nga reshjet e dendura të shiut dhe vërshimet në rajonin brazilian, Bahia, shkoi në 20 të hënën, sipas autoriteteve. Gati 63.000 persona janë detyruar të shpërngulen shkaku i motit të lig.
Dy vdekje të reja u regjistruan në qytezën Itabuna: një burrë 21-vjeçar, që u bart nga uji, dhe një grua 33-vjeçare, që vdiq nga rrëshqitja e dheut, thuhet në një raport të qeverisë lokale.
“Jemi duke jetuar në fatkeqësinë më të madhe në historinë e Bahia-s”, tha guvernatori i këtij rajoni, Rui Costa, i cili nga e shtuna i ka mbikëqyrur operacionet e shpëtimit në zonat e prekura, shkruan France24.
“Uji ka filluar të bjerë në burimin e Lumit Cachoeira dhe pritet të përmirësohet në ditët e ardhshme, ndonëse ngadalë”, tha Costa.
Shtëpitë u vërshuan nga uji dhe rrugët u shndërruan në lumenj në disa komuna në jug të këtij rajoni. Reshjet e dendura shkaktuan shpërthim të ujit në diga dhe dalje të lumenjve nga shtretërit e tyre.
Numri i personave që janë nxjerrë nga shtëpitë e tyre shkaku i vërshimeve gati është dyfishuar nga e diela dhe ka shkuar në 62.796, sipas Mbrojtjes Civile.
358 persona janë lënduar që nga fillimi i reshjeve të dendura në nëntor. Në përgjithësi, autoritetet vlerësojnë se 116 komuna, përfshirë të paktën 100 që janë në gjendje emergjente, janë prekur nga reshjet.







