Rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe këtë vit

Andrea Çobanova

Çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit. Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të bëjë që kompanitë të shtrenjtojnë çmimet e produkteve për shkak të rritjes së shpenzimeve- vlerësojnë ekonomistët. Shpenzimet e jetesës për qytetarët do të rriten, andaj është e nevojshme që autoritetet të ndjekin nga afër situatën dhe të marrin masa në kohë, veçanërisht për mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara, thonë nga “Finance Think”, shkruan Alsat.

“Presionet e çmimeve për ushqimet dhe veçanërisht energjinë do të jenë prezente për një kohë respektivisht të paktën në një pjesë të vitit 2022. Autoritetet duhet të qëndrojnë vigjilente dhe të ndjekin nga afër zhvillimin e situatës dhe t’i ndërmarrin veprimet e duhura”- thonë nga Finance Think- Instituti për kërkime ekonomike.

Vendimi për ngrirjen e çmimeve të disa prej produkteve, i miratuar nga Qeveria, do të zgjasë deri në fund të muajit. Nga ministria e Ekonomisë thonë se do të vijojnë analizat dhe do të vendoset nëse kjo masë do të vazhdojë.

“Bazuar në statistikat e reja për shpenzimet e jetesës dhe çmimet e shitjes me pakicë që do të publikohen së shpejti nga Enti Shtetëror i Statistikave, Ministria e Ekonomisë fillimisht do të përgatisë analizë të gjendjes së tregut nga zbatimi i vendimit për ngrirjen e çmimeve”- pohojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Për biznesin, masa për ngrirjen e çmimeve nuk duhet të vazhdojë sepse ndikon negativisht tek kompanitë. Qeveria duhet të propozojë masa të tjera që do të mbrojnë qytetarët dhe kompanitë nga goditjet e çmimeve.

“Një kompani që ka shpenzime për furnizim dhe prodhim të një produkti të caktuar nuk mund të pritet ai produkt të kushtojë 100 denarë kurse të shitet për 80 denarë. Po, është dashur të bëhet intervenim, edhe pse mund të jetë vonuar, por është dashur të intervenohet në një drejtim tjetër, për të aktivizuar rezervat shtetërore, duke kufizuar çmimin e marzhës apo masa të tjera ekonomike që nuk do të dëmtojnë as qytetarët e as kompanitë”- tha Aleksandra Andreeva- Lidhja e Odave Ekonomike.

Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se çmimet e ushqimeve vitin e kaluar janë rritur për 3,6 për qind. Rritje më të madhe ka çmimi i vajit, mishit, frutave dhe perimeve. Stabilizimi i mundshëm i çmimeve pritet në gjysmën e dytë të këtij viti.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button