Rritja e çmimeve – Kërkohet aktivizimi urgjent i mallrave rezervë shtetëror

Rritja e çmimeve – Kërkohet aktivizimi urgjent i mallrave rezervë shtetëror

Gazetare: Andrea Cobanova

Aktivizimi urgjent i mallrave rezervë shtetëror për të zbutur goditjen nga çmimet. Qeveria tashmë është vonuar me këtë ndërhyrje pas një sërë kërkesash nga ekonomia, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike, shkruan Alsat.

Me përdorimin e një pjese të mallrave rezervë do të zvogëlohet varësia nga importi i lëndëve të para dhe atyre ushqimore, dhe do të amortizohet rritja e çmimit të produkteve ushqimore bazë.

Rritja e prodhimit vendor të ushqimit dhe ndihma e kompanive të energjisë elektrike, janë çelësi për daljen e vendit nga kjo krizë në planin afatgjatë, thonë nga LOE.

“Industria e mullisëve dhe e furrtarisë ka një kohë të gjatë, që kërkon ndërhyrje nga rezervat shtetërore. Nuk e kuptojmë pse nuk ka një ndërhyrje të tillë? Strukturat qeveritare mund të kenë metodologji të tjera për aktivizimin e tyre, por ne besojmë se ato rezerva shërbejnë në situata kur ka mungesa në treg, apo goditje të larta çmimesh”, tha Trajan Angeloski- Kryetar i LOE-s.

Qeveria deri më tani nuk ka marrë masa të reja për aktivizimin e tyre në vend të uljes së TVSH-së, dhe marzheve të ngrira, të cilat nuk vlejnë nga dje.

Ndërhyrje të shpejtë të pushtetit kërkojnë edhe nga OEMVP.

“Një qasje e tillë nuk është ekonomike, madje edhe me këto mjete minimale, qasja nuk është as sociale. Janë dhënë 76 milionë euro për qytetarët dhe ekonominë, të cilat për situatën dhe rrethanat, për biznesin dhe qytetarët, këto mjete nuk janë të mjaftueshme. E gjithë kjo tregon se qeveria nuk ka një përgjigje konkrete për krizën në të cilën ka rënë vendi ynë”, u shpreh Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Ministria e Financave ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë në mënyrë thuajse identike. Masa do të ketë, por vetëm pasi të miratohet rishikimi i buxhetit.

Megjithatë, tani e tutje bëhet e ditur se do të targetohen në mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.

Buka, mielli, sheqeri, vaji, orizi, qumështi nga dje shiten për 5 deri në 10 denarë më shtrenjtë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button