Berisha: Rasti i Hysenit ka pasoja për sigurinë kombëtare, Rama të dorëhiqet

Gazetare: Amila Rashiti

Çështja e Vlora Hysenit u zhvendos në Kuvendin e Shqipërisë. Shumica parlamentare nuk u pajtua me kërkesën e Partisë Demokratike për ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e debatit për rastin e ish-drejtores së SHISH-it. Kreu i demokratëve, Sali Berisha, kërkoi dorëhejqen e kryeministrit Edi Rama pas hetimit ndaj Hysenit si një çështje me pasoja të rënda për shtetin. Ai gjithashtu e quajti Hysenin shërbëtore të Vuçiqit dhe Ramës.

“Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë, e kam deklaruar edhe në atë kohë dhe e deklaroj edhe sot, ajo ishte një shërbëtore e Vuçiqit dhe dhe Edi Ramës.” Deklaroi Sali Berisha,Kryetar i Partisë Demokratike

Pas fjalimit të Berishës, Blendi Klosi, nga Partia Socialiste e akuzoi Sali Berishën se çdo herë që është në opozitë i sulmon institucionet.

“ Sa vite ke karrierë politike, plot 22 vjet dhe 22 vjet ke drejtuar këtë forcë politike në opozitë, 22 vjet janë shumë për jetën e një politikani por 22 vjet nuk ke hequr dorë nga akuzat ndaj institucioneve, nuk ke hequr dorë nga akuza për krerët e shërbimeve, e përmende edhe vetë, edhe në opozitën e parë edhe në kaq vite në opozitën e dytë godet institucionet, godet sigurinë kombëtare,” tha Blendi Klosi, Partia Socialiste

Në mes të fjalimit të Klosit, Partia Demokratike bllokoi foltoren, gjë që krijoi debate të shumta dhe tension në Kuvend.

Tensione kishte edhe jashtë Kuvendit mes forcave policore dhe protestuesve të cilët prej muash po protestojnë në Tiranë. Përplasjet mes dy palëve kanë vazhduar për disa minuta, duke lënë edhe një të moshuar pa ndjenja nga tensioni por që më pas gjendja e tij u mësua të jetë stabile./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button