BDI: Diskriminim etnik në shkollën policore / Toshkovski: U kaloi koha e tezave etnike

Gazetare: Fatlume Dervishi

Fronti Evropian akuzon për diskriminim etnik në përzgjedhjen e kandidatëve në shkollën e mesme të policisë. Në seancën për pyetjet e deputetëve, deputetja Rina Ajdari pyeti ministrin Toshkovski për numrin e ulët të shqiptarëve të pranuar.

“Sipas informacioneve të sakta mbi 100 kandidatë shqiptarë i kanë plotësuar kushtet dhe edhe një fakt po ua jap në qoftë se nuk jeni deri në fund të sinqertë me opinionin, a e shoh se nuk jeni dhe po mundoheni të manipuloni me faktet, zv.ministri nga radhët e VLEN-it nuk ka qenë pjesë e këtij procesi dhe asnjë përfaqësues i VLEN-it nuk ka qenë pjesë e këtij procesi. Praktikisht vetëm ju dhe VMRO-ja ka pasur të drejtë ta rregullojë kështu siç ka dashur këtë proces dhe ta finalizojë me këto rezultate”, tha Rina Ajdari nga Fronti Evropian.

Toshkovski tha se kanë aplikuar 31 shqiptarë dhe janë pranuar 11. Sipas tij, është fatkeqësi që ka interesim aq të ulët nga shqiptarët për shkollën e mesme policore.

“Si t’ua them tani. Janë pranuar aq shqiptarë sa janë pranuar. Unë do të doja të ishin pranuar dhjetë herë më shumë por ai është numri i të paraqiturve. Numri i përgjithshëm është 31 kurse ju thoni 100. Përse nuk kuptoni nuk e kam të qartë se ky popull është i mençur dhe nuk u kalojnë më tezat multietnike që gjithë kohën përpiqeni t’I impononi. Nga viti në vit gjithmonë e më pak u kalojnë. Çfarë do të bëni atëherë nuk e di. Si duket do të duhet të merreni me sport se me politikë nuk ju shkon gjatë”, deklaroi ministri Pançe Toshkovski.

Ajdari dhe Toshkovski u përplasën edhe për dhunën mes grupeve të tifozëve në Tetovë. Ajdari tha se ministri nuk ka qenë i informuar për problemin që ekziston prej kohësh dhe që mund të jetë me pasoja të rënda. Toshkovski, nga ana tjetër, tha se pavarësisht përkatësisë etnike, policia punon në dënimin e atyre që shkaktojnë incidente dhe shkelin ligjin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button