Klekovski: Marrëveshjet kolektive nxisin keqpërdorimin e pushimeve mjekësore

Gazetare: Sulejmani Ilirida

Keqpërdorimi i pushimeve mjekësore mbetet një nga çështjet që vazhdon të jetë nën vëzhgimin e institucioneve. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se përvoja e tij nga koha kur drejtonte Fondin e Sigurimit Shëndetësor, tregon se rastet më të shumta janë evidentuar në sektorin publik, polici, mbrojtje dhe dogana. Sipas Klekovskit, shkaqet kryesore janë marrëveshjet kolektive në këto institucione, të cilat sipas tij, u garantojnë të punësuarve kompensim prej 100 për qind të pagës gjatë pushimit mjekësor.

 “Unë mund të them se deri sa isha unë drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, pjesa më e madhe e rasteve ishin në sektorin publik, në polici, mbrojtje dhe dogana, sepse te një e pjesë e këtyre sektorëve, marrëveshjet kolektive parashohin kompensim 100 për qind për kohën e pushimeve mjekësore, ndërkohë që pjesa më e madhe e sektorit privat është me 70 për qind kompensim të pagës dhe kjo mënyrë e kompensimit nxit ta them, kushtimisht pushimin mjekësor sepse nuk humbisni asgjë nga paga nëse jeni i sëmurë.” – Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë

Drejtori i Fondit Shëndetësor, Zllatko Perisnki, pak kohë më parë njoftoi se kontrollet në të ardhmen do të bëhen me denoncim nga punëdhënësi, por edhe me përzgjedhje të rastësishme. Nëse kontrollori nuk e gjen personin që shfrytëzon pushim mjekësor në shtëpi, do t’i lihet një dokument me të cilin udhëzohet të paraqitet para komisionit mjekësor dhe të japë arsyetim. Për këtë rast do të njoftohet edhe punëdhënësi. Gjithashtu ndër ndryshimet që parashikohen është që mjekët amë të mund të lëshojnë pushim mjekësor deri në pesë ditë, në vend të shtatë ditëve sa ishte deri tani. Vetëm në gusht të këtij viti, janë paguar mbi 623 milionë denarë për pushime mjekësore.

Tani mbetet të shihet nëse kontrollet do të intensifikohen  në periudhën e ardhshme, me synimin për të zbuluar dhe parandaluar çdo keqpërdorim të pushimeve mjekësore, veçanërisht atyre të zgjatura./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button