Kosova kujton sot tre vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ai u kujtua sot në familjen e tij mes dhimbjes, krenarisë dhe respektit për sakrificën. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu tha se vepra dhe sakrifica e Afrim Bunjakut do të mbeten pjesë e historisë së Kosovës, ndërsa ndërkombëtarëve u kërkoi të ushtrojnë presion në Serbi që terroristi Radojçiq të sillet në Kosovë për gjykim.
“Kërkojmë që edhe partnerët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë dhe ta transferojnë në Kosovë kryeterroristin dhe terroristët e tjerë dhe në vazhdimësi kemi bërë kërkesa nga partnerët që t’i transferojnë dhe të përballen para drejtësisë në Kosovë.” Deklaroi Albulena Haxhiu, Ushtruese e detyrës Presidente e Kosovës
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë janë kujdesur që ta përkujtojnë sot rreshterin policor kosovar, Afrim Bunjkaun, dhe ta ridënojnë sulmin e armatosur në Banjskë, ku ai u vra. Bashkimi Evropian ka rikujtuar se ky ka qenë një kërcënim serioz i sigurisë në rajon dhe ka kërkuar nga Serbia që të veprojë menjëherë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e këtij sulmi.
Në vendin ku tre vjet më parë ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku, sot është vendosur gurthemeli i përmendores.
“Kjo fitore solli liri për këtë pjesë. Veriu i Kosovës tash frymon lirshëm. Si rrjedhojë e kësaj ne kemi arritur që të zbulojmë edhe varreza masive, të identifikojmë persona të gjetur të zhdukur dhunshëm nga kriminelët, atëherë nga shteti kriminel serb të asaj periudhe”, tha Xhelal Sveçla, Ministër i brendshëm i Kosovës
Tre vjet pas sulmit terrorist, Milan Radoiçiq i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit terrorist, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa atje ndaj tij ende nuk është ngritur aktakuzë për Banjskën.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 kishte nisur në orët e para të mëngjesit, pasi një urë në Banjskë ishte bllokuar me kamionë. Njësitet policore që shkuan në vendngjarje u sulmuan me armë. Rreshteri 50-vjeçar Afrim Bunjaku mbeti i vrarë. Zyrtari policor Alban Rashiti u plagos, ndërsa lëndime pësuan edhe pjesëtarë të tjerë të Policisë. Përleshjet e armatosura vazhduan për disa orë. Gjatë operacionit të Policisë u vranë 3 pjesëtarë të grupit terrorist serb. Policia më pas ekspozoi arsenalin e sekuestruar. Në mesin e tij kishte armë të rënda, granatahedhës, automjete të blinduara, pajisje komunikimi dhe sasi të mëdha municioni.
3 vjet më vonë, pamja në Banjskë është krejt tjetër.
Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin, me Radoiçiqin si një prej të akuzuarve kryesorë dhe drejtues të grupit. Zhvillimi më i madh gjyqësor në këtë rast erdhi më 24 prill 2026. Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë Blagoje Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviqin. Spasojeviq dhe Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Maksimoviq me 30 vjet burgim./Alsat.mk








