Rritje e madhe e varfërisë në Gjermani, zbulon studimi

Rritje e madhe e varfërisë në Gjermani, zbulon studimi

Gjermania ka parë një rritje të ndjeshme të varfërisë gjatë dekadës së fundit, thuhet në një raport të publikuar të enjten nga Fondacioni Hans Boeckler.

Sipas një studimi të Institutit për Shkenca Ekonomike dhe Sociale (WSI) të fondacionit të lidhur me sindikatat, përqindja e njerëzve shumë të varfër, të cilët kanë në dispozicion më pak se 50% të të ardhurave mesatare, u rrit me 40% ndërmjet 2010 dhe 2019.

Ai theksoi se pandemia COVID-19, shpërthimi i çmimeve të energjisë dhe inflacioni i lartë kanë përkeqësuar varfërinë në Gjermani gjatë tre viteve të fundit.

“Në vitin 2019, më shumë njerëz në Gjermani u prekën nga varfëria se kurrë më parë”, thanë autorët e raportit.

Edhe pse Gjermania ka dëshmuar një zhvillim ekonomik pozitiv dhe rënie të papunësisë gjatë dekadës së fundit, familjet e varfra nuk kanë përfituar prej tij pasi kanë mbetur edhe më mbrapa.

Hendeku i varfërisë – pra shuma që mungon për një familje mesatare të varfër për të lënë matematikisht kufirin e varfërisë – është rritur nga 2968 euro në 2010 në 3912 euro në 2019, sipas studimit.

Edhe pse Gjermania është një nga vendet më të pasura në botë, shenjat e varfërisë në rritje po bëhen gjithnjë e më të dukshme në të gjithë vendin. Gjithnjë e më shumë njerëz të pastrehë mund të shihen duke fjetur në rrugë, nëna që heqin dorë nga vaktet në përpjekje për të ushqyer fëmijët e tyre dhe pensionistë që kërkojnë shishe të hedhura për t’i shitur për depozitën.

Një person në Gjermani konsiderohet të jetë në rrezik të varfërisë, nëse ka më pak se 60% të të ardhurave mesatare të të gjithë popullsisë. Vitin e kaluar, ky prag për njerëzit që jetojnë vetëm në Gjermani ishte 15.009 euro neto në vit (1.251 euro neto në muaj).

Vitin e kaluar, 15.8% e popullsisë në Gjermani thuhet se ishte në prag të varfërisë.

Në fillim të këtij muaji, Zyra Federale e Statistikave tha se pothuajse 38% e studentëve në Gjermani ishin në rrezik të varfërisë.

Në shtator, qeveria gjermane zbuloi një paketë të tretë lehtësimi për të kompensuar çmimet në rritje të shpejtë, e cila përfshinte edhe pagesa një herë për studentët./AA

LEXO EDHE:

Back to top button