Rruga në fshatin Lubosh në gjendje alarmante, banorët kërkojnë masa urgjente
Rruga në fshatin Lubosh në gjendje alarmante, banorët kërkojnë masa urgjente

Gazetare: Ajnur Bafqari
Kështu duket rruga 3 në fshatin Lubosh, disa ditë pas përmbytjeve.
Banorët thonë se edhe më herët kjo rrugë ka pasur disa gropa, por pas përmbytjeve toka është shkatërruar më shumë duke e bërë këtë rrugë të pa kalueshme. Si pasojë e kësaj situate, një veturë ka dalë tërësisht nga rruga, duke e goditur murin e një shtëpie.
“Në mbrëmje rreth orës 12, kthehesha nga Draçeva dhe nuk e vërejta rrugën, u ktheva majtas, mu ngrit makina dhe më pas u gjeta poshtë te oborri i fqinjit. Domethënë rashë në gropë. Duam t’i bëjmë thirrje kryetarit të Kisella Vodës të vijnë ta sanojnë, të mos del problem më i madh dhe të vendoset shenja që të mos vuajë edhe dikush si unë, falë Zotit isha vetë në makinë”, u shpreh një vozitës.
Banorët nuk ndjehen aspak të sigurt dhe kërkojnë nga autoritetet që të ndërmarrin sa më shpejtë masa.
“Kjo është makina e dytë që bie. Para dy ditësh ishte një veturë tjetër, e tërhoqëm dhe e kthyem në rrugë…Kjo rrugë është ndërtuar shpejtë, nuk e di a i ka 2 vite që kur është rinovuar…”, u shpreh një banor.
“Do të duhej ta rregullojnë rrugën, domethënë rruga nuk është në rregull, fëmijët tanë duhet të shkojnë nëpër shkolla, furgonët nuk vijnë. Ja te unë shtëpia ka lëshuar, njeriu ka rrëshqitur, shikoje makina i ka shkuar poshtë…”, tha një tjetër banor.
Territorialisht ndodhet në komunën e Studeniçanit por kjo rrugë menaxhohet nga komuna e Kisella Vodës. Kreu i kësaj komune, Orce Gjorgjievski u zotua se sanimi do të realizohet gjatë javës së ardhshme. Ai tha se lidhur me gjendjen e keqe të kësaj rruge kanë reaguar disa herë, pasi ajo më parë ishte sanuar në mënyrë jo të duhur.
“Atë rrugë nuk e ka realizuar komuna, e ka realizuar Byroja për Zhvillim Rajonal, pak para zgjedhjeve lokale 2021. Që prej fillimit, nga ana ynë, nga shërbimet tona, ishte konstatuar se rruga nuk është bërë në mënyrën e duhur…nga fotografitë mund të shihni se për më pak se 1 muaj nga realizimi i rrugës, kishte plasaritje. Po ashtu kemi procesverbal se kompania që ka bërë punimet, nuk ishte kompetente…”, deklaroi Orce Gjorgjievski, kryetar i komunës së Kisella Vodës.
Ditë më parë, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, lumi Markovë në komunën e Studeniçanit, doli nga shtrati në disa pika përgjatë rrjedhës së tij, duke lënë pas vetes dëme të shumta materiale. /Alsat.mk