Rrugë strategjike dhe jetësore/ Kina, thirrje për përpjekje globale për të ulur tensionet mbi Ngushticën e Hormuzit

Rrugë strategjike dhe jetësore/ Kina, thirrje për përpjekje globale për të ulur tensionet mbi Ngushticën e Hormuzit

Kina ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha ndërkombëtare për të zbutur tensionet ndërkombëtare që ndikojnë në ekonominë globale, mes shqetësimeve për kërcënimet iraniane për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit.

Parlamenti i Iranit miratoi mbylljen e Ngushticës, një pikë kritike e tregtisë globale, në përgjigje të sulmeve ajrore të SHBA-së në vendet bërthamore iraniane, raportoi të dielën media shtetërore iraniane, megjithëse çdo vendim përfundimtar do të duhej të merrej nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit dhe Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i bëri thirrje të dielën Kinës që të parandalojë mbylljen e Ngushticës nga Irani, një nga rrugët më të rëndësishme tregtare për naftën bruto në botë.

“E inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t’i kontaktojë për këtë, sepse ata varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre”, tha Rubio në një intervistë për Fox News.

Kina është klientja më e rëndësishme e naftës së Iranit dhe mban marrëdhënie miqësore me Republikën Islamike.

I pyetur në një konferencë për shtyp në Pekin të hënën, nëse Kina kishte folur me Iranin për këtë çështje, zëdhënësi i diplomacisë kineze Guo Jiakun tha se Gjiri Persik dhe ujërat përreth janë një rrugë e rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare të mallrave dhe energjisë.

“Mbajtja e rajonit të sigurt dhe të qëndrueshëm, i shërben interesave të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare. Kina i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të shtojë përpjekjet për të nxitur uljen e përshkallëzimit të konfliktit, dhe për të parandaluar që trazirat rajonale të kenë një ndikim më të madh në rritjen ekonomike globale”, shtoi Guo.

“Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, do të ishte shumë e rrezikshme dhe jo e mirë për askënd”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, të hënën, përpara një takimi me ministrat e jashtëm nga 27 shtetet anëtare në Bruksel.

Raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi të Iranit do të ishin të afta të synonin platformat e infrastrukturës së naftës, tubacionet në Ngushticë, ose edhe të sulmonin anijet tregtare, ndërsa raketat tokë-tokë, mund të synonin anijet cisternë ose portet përgjatë Gjirit.

Sulmet ajrore duke përdorur avionë dhe drone, mund të çaktivizojnë pajisjet e navigimit ose të radarit në portet kryesore të transportit detar në rajon.

Dronët pa pilot si modelet Shahed të Iranit ,mund të përdoren potencialisht për të sulmuar korsi ose infrastrukturë specifike të transportit detar në Ngushticë. Irani mund të përpiqet të vendosë anije luftarake për të bllokuar fizikisht aksesin në Ngushticë. Në vitin 2012, Irani nisi një sulm kibernetik ndaj industrisë së naftës së Arabisë Saudite, duke treguar aftësinë e tij në rritje në këtë fushë.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët ujore më strategjike dhe jetësore në botë dhe çdo bllokadë nga Irani do të paraqiste rreziqe serioze për Evropën.

Bllokimi i Ngushticës ishte një nga katër përgjigjet iraniane ndaj konfliktit, përfshirë aktet terroriste në Evropën kontinentale, të cilat eksperti i sigurisë Claude Moniquet i përmendi në një intervistë me Eduronews.

Do të ishte “një katastrofë për Evropën”, tha ish-oficeri i inteligjencës franceze.

Kërcënimet ndaj sigurisë energjetike, tronditja ekonomike, përshkallëzimi i sigurisë dhe ai ushtarak, si dhe ndërprerjet e transportit detar dhe tregtar janë të gjitha ndër ndikimet që priten nëse ngushtica mbyllet.

Përtej naftës, ngushtica është një rrugë kyçe për transportin global detar. Ndërprerja mund të vonojë importet evropiane të lëndëve të para, elektronikës dhe mallrave të konsumit, duke ndikuar në zinxhirët e furnizimit.

Primet e sigurimit për transportin detar mund të rriten ndjeshëm, duke rritur kostot për bizneset dhe konsumatorët evropianë./ Euronews.

LEXO EDHE:

Back to top button