Rusët bombardojnë një shkollë në Mariupol

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Një shkollë në Mariupol ku po strehoheshin 400 persona është bombarduar nga rusët, njoftojnë autoritetet ukrainase. Në një postim në Telegram, këshilli i qytetit tha se ndërtesa e shkollës është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas zyrtarëve, gra, fëmijë dhe të moshuar kanë qenë duke u strehuar në këtë shkollë. Ende nuk ka njoftime për viktimat e mundshme nga ky sulm. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse ndaj qytetit të rrethuar të Mariupolit janë “akte terrori”, shkruan Alsat.

“Mariupoli i bllokuar do të mbetet në historinë e përgjegjësisë për krimet e luftës. Të bësh këtë me një qytet paqësor, që bënë pushtuesit, është një tmerr që do të mbahet mend pas një shekulli. Dhe sa më shumë ukrainasit i flasin botës për këtë, aq më shumë gjejmë mbështetje. Sa më shumë Rusia përdor terrorin kundër Ukrainës, aq më të këqija janë pasojat për të”, tha  Volodymyr Zelenski, President i Ukrainës

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës e ka akuzuar Rusinë për kryerjen e akteve të “gjenocidit” gjatë pushtimit të shtetit të saj. Duke folur për Sky, Olha Stefanishyna, tha se ajo “absolutisht besoj” se aktet e gjenocidit janë kryer nga regjimi rus, dhe tha se presidenti, Vladimir Putin dhe liderët në Kremlin “janë kriminelë lufte”.

Pas raportimeve të mëhershme për shpërthime në fabrikën e hekurit dhe çelikut në Mariupol, që njihet si fabrika Azovstal, ligjvënësit ukrainas tani po thonë se ajo është “shkatërruar” nga granatimet ruse. Fabrika e çelikut ka një aset kyç në Mariupol, në Detin Azov, të cilin Moska që dy javë po tenton që ta marrë nën kontroll.

Zyrtarët e mbrojtjes së Ukrainës pretenduan se forcat e saj kanë shkatërruar plotësisht Regjimentin Ajror të Gardës Kostroma 331 të Rusisë. Ukraina pretendoi se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse. Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës shkroi në Facebook se kapiteni i rangut të parë, Andrey Paliy, u vra nga forcat ukrainase gjatë luftimeve të ashpra, edhe pse rrethanat rreth vrasjes së tij janë të paqarta. Moska ende nuk ka komentuar lidhur me këto pretendime.

Ndërkohë Rusia tha se sërish ka përdorur raketat e reja hipersonike në Ukrainë. Sipas zyrtarëve rusë, ata kanë shkatërruar një depo karburantesh në jug të Ukrainës.

“Sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv”, tha  Igor Konashenkov, Zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë

Të shtunën, më 19 mars, Rusia për herë të parë e pranoi se ka përdorur raketa hipersonike gjatë një sulmi në perëndim të Ukrainës. Përdorimi i këtyre armëve më vonë u konfirmua edhe nga autoritetet ukrainase. Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara njoftoi se që nga 24 shkurti deri në mesnatën e 19 marsit, janë vrarë të paktën 902 civilë dhe 1,459 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë shefi i Agjencisë për refugjatë në Kombet e Bashkuara tha se dhjetë milionë persona tashmë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë për shkak të luftës “shkatërruese” të Rusisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button