Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e Mariupolit

Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e Mariupolit

Rusia urdhëroi forcat ukrainase që ende po mbrojnë qytetin e rrethuar të Mariupolit që të ulin armët. Ultimatumi vjen teksa Moska vazhdon sulmin e saj të pamëshirshëm dhe shkatërrues në qytetin juglindor, ndërsa pretendon se e ka marr kontrollin. Rreth 100 mijë persona mbeten të bllokuar në Mariupol dhe rrethinat e tij të afërta, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky, situatën në qytetin port e konsideroi çnjerëzore.

“Situata në Mariupol mbetet skajshmërish e rëndë. Thjesht çnjerëzore. Kjo është ajo që bën Rusia. Qëllimisht vazhdon të shkatërrojë qytete. Qëllimisht po përpiqet t’i shkatërrojë të gjithë në Mariupol”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Zelenski tha se sulmi i pandërprerë i Rusisë në qytetin e Mariupolit dhe zbulimi i mundshëm i më shumë krimeve kundër civilëve do t’i bëjnë të pamundura bisedimet e mëtejshme diplomatike.

“Kur lufta të ketë mbaruar, ne mund të mendojmë për diplomacinë. Ata duan ta zgjidhin problemin në rrugë diplomatike, kur ka luftë, është shumë e vështirë. Kjo është arsyeja pse ata duan të marrin disa nga territoret tona, për t’i pushtuar më shumë, për të pasur një presion të tillë. Atëherë nuk bëhet fjalë për diplomaci, pra pse po takohemi?”, u shpreh Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Ndërkohë bombardimet ruse kundër Kievit nuk ndalen. Autoritetet lokale njoftuan se të dielën në mëngjes u shënjestrua një zonë në periferi të kryeqytetit duke shkatërruar disa pjesë të infrastrukturës jetike që mund të sjellë ndërprerje në furnizimin me energji dhe ujë. Luftimet janë intensifikuar në Ukrainën lindore, ku Rusia ka përqendruar forcat e saj javët e fundit. Ndërkaq disa dërgesa ndihme ushtarake nga SHBA kanë filluar të mbërrijnë në Ukrainë. Në fillim të kësaj jave, Presidenti Joe Biden miratoi një ndihmë ushtarake shtesë në vlerë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën. Ai tha se mbështetja do të përfshijë armë të reja të përshtatura për të luftuar “sulmin më të gjerë” të pritshëm të Rusisë në lindje./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button