Rusia sanksionon 100 shtetas kanadezë, midis tyre ylli i Hollywood-it

Rusia sanksionon 100 shtetas kanadezë, midis tyre ylli i Hollywood-it

Rusia ka sanksionuar 100 qytetarë kanadezë, duke përfshirë yllin e Hollywood-it, Jim Carrey, në shenjë hakmarrje të sanksioneve të vendosura nga Otava për qytetarët rusë.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi më 14 nëntor se ka vendosur sanksione ndaj qytetarëve kanadezë, përfshirë shkrimtaren e njohur, Margaret Atwoodm, shkrimtarin dhe regjisorin, David Bezmozgis, dhe aktoren Kathryne Winnick.

Qytetarët kanadezë, që i janë shtuar listës së sanksioneve, përfshijnë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë kanadezë, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe figura tjera.

Në qershor, Rusia sanksionoi 49 qytetarë kanadezë, duke ua pamundësuar hyrjen në Rusi.Deri tani janë mbi 1.000 qytetarë dhe kompani kanadeze në listën e sanksioneve të Rusisë.

Në muajin maj, Kanadaja ka vënë sanksione ndaj dhjetëra individëve rusë, duke përfshirë oligarkë dhe zyrtarë të afërt me Kremlinin dhe Ministrinë e Jashtme ruse, si dhe me disa kompani ruse, për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka dërguar trupat ushtarake në Ukrainë më 24 shkurt, shumë shtete perëndimore, përfshirë Kanadanë, kanë vënë sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Këto masa përfshijnë përjashtimin e shumë bankave ruse nga sistemi SWIFT, embargo në eksportet ruse, kufizime në investime, ngrirje të aseteve për zyrtarët qeveritarë dhe familjarët e tyre, si dhe ndalesa në udhëtim për shumë zyrtarë të lartë rusë./REL.

LEXO EDHE:

Back to top button