Fillojnë punët për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”

Fillojnë punët për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”

Gazetar: Mefail Ismaili

Kanë filluar punët për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Sipas rektorit të këtij institucioni brenda disa muajsh do të bëhet rikonstruimi i objekteve të Kazermës “Ilinden”, ndërsa ndërtimi i objektit të ri do të fillojë pas vitit të ri.

“Këtu është një hyrje, mirëpo plani jonë është që hyrjen ta kemi në pjesën e rrugës nga ambasada dhe krejt në ballë të jetë hyrja e Universitetit, përndryshe këtu do të eliminohen diku pesë objekte, me diku 30 kubik tokë, beton dhe mbeturina tjera”, tha Izet Zeqiri, Rektor i UNT-së.

Pas një periudhë më të gjatë, filluan punimet për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, në Kazermën Ushtarake “Ilinden” në Shkup. Gjatë fillimit të punimeve, rektori i universitetit Izet Zeqiri i prezantoi stafit akademik dhe studentëve të Universitetit hapësirat e kampusit. Zeqiri tha se brenda disa muajve do të përfundojë rikonstruimi i tre objekteve të cilat kanë qenë pronë e Kazermës ushtarake, ndërsa pas vitit të ri, do të duhet të fillojë edhe ndërtimi i një objekti të ri.

“50 mijë m2 është hapësira. Ka dy objekte nga 3000 m2, ka një tjetër 1000 m2 dhe një objekt tjetër me afër 30 zyra. Këtu ka disa objekte të cilat duhet të eliminohen. Si universitet në kontinuitet do të vazhdojmë tashmë me rikonstruime, me punën në këtë objekt, pasi gjithë projektet janë të realizuara. Ne jemi në pritje të fillimit të rikonstruimit, e nëse gjithçka do të shkojë sipas planit që e kemi, deri në fund të muajit do të fillojmë me rekonstruimin e objektit që e kemi prapa, që ka një hapësirë prej 3 000 m2”, u shpreh Izet Zeqiri, Rektor i UNT-së
.
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” Izet Zeqiri thotë se paralelisht do të shkojnë rikonstruimi i objekteve aktuale dhe përgatitja për ndërtimin e objektit të ri, për të cilat është planifikuar buxhet prej rreth 250 milionë denarë investime kapitale. Ndërsa për objektin e ri do të ketë buxhet shtesë. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u themelua në dhjetor të vitit 2015. Në kuadër të Universiteti “Nënë Tereza” funksionojnë pesë fakultete me 36 drejtime. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button