Rusia vazhdon sulmet me raketa në Ukrainë, i përgjigjet rezolutës së OKB-së
Rusia vazhdon sulmet me raketa në Ukrainë, i përgjigjet rezolutës së OKB-së

Gazetar: Isuf Kadriu
Forca ruse kanë vazhduar sulmet me raketa duke goditur mbi 40 qytete ukrainase që kishin në shënjestër sistemet energjetike, por edhe objektet civile duke lënë shumë të plagosur.
Sulmet e reja vijnë një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e quan “ilegal” aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.
Sipas zyrtarëve ukrainas sulmet janë kryer me dron të prodhuar nga Irani, që njihen si dron kamikazë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ishte “mirënjohës ndaj 143 shteteve që mbështetën rezolutën historike të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përpjekjet e Rusisë për aneksim janë të pavlera”.
“Sa më mizor që bëhet terrori rus, aq më e qartë bëhet për botën se të ndihmosh Ukrainën për të mbrojtur qiellin është një nga detyrat më të rëndësishme humanitare për Evropën e kohës sonë. Unë besoj se ne do t’i rezistojmë kësaj detyre. Jam mirënjohës për partnerët tanë që tashmë kanë vendosur të forcojnë një mbështetje të tillë për shtetin tonë – mbështetje për mbrojtje efektive në ajër”, tha Volodymir Zelenski, president i Ukrainës.
Aleatët e Ukrainës në NATO njoftuan se do të dërgojnë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe ndihmë tjetër ushtarake, në mënyrë që Kievi të mbrohet nga sulmet ajrore ruse që po godasin të gjithë vendin.
Veç kësaj, Franca njoftoi se do të dërgojë radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë gjatë javëve në vijim.
Kanadaja do të ofrojë artileri dhe veshje dimërore e furnizime të tjera për ushtarët ukrainas.
Pavarësisht sulmeve me raketa, Ukraina ka vazhduar ofensivën ushtarake duke njoftuar çlirimin edhe të pesë vendbanime të tjera në rajonin jugor të Hersonit. Ndërkohë banorët lokal rrëfejnë për dhunën dhe dëmet e mëdha që kanë shkaktuar forcat ruse derisa mbanin të pushtuar territoret ukrainase.
“Kam një muaj që po qaj, jam ende e shokuar, nuk mund ta marr veten nga ajo ndjesi: Kam humbur gjithçka tani që jam 72 vjeç dhe kaq. Mbeta pa asgjë. Të gjitha rrobat janë këtu, gjithçka”, tha ajo, duke qarë dhe duke parë mbeturinat e shtëpisë së saj. “Ishte një fatkeqësi, një fatkeqësi e plotë, nuk kishte asnjë ditë të vetme paqësore. Ne ishim fshehur (në strehë) dhe mbjellim në kopsht kur nuk kishte granatime”, tha Tetyana Patsuk, banore.
Ushtria e Ukrainës bëri të ditur se trupat e saj kishin rimarr rreth 1.200 kilometra katrorë territor në rajonin jugor të Hersonit nga forcat ruse, që nga fillimi i kundërofensivës në fund të gushtit./ Alsat.mk