Sadiku dhe Bajrami, optimist për nismë pozitive

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, është duke u përgatitur për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”, ndaj Moldavisë më 17 qershor në ‘Air Albania’ dhe më pas ndaj Ishujve Faroe më 20 qershor në transfertë. Në prag të sfidës së parë ndaj Moldavisë, Armando Sadiku dhe Adrian Bajrami folën për pritshmëritë e tyre në prag të sfidave të qershorit.  Nga rikthimi me ekipin kombëtar, te përshtypjet e para rreth ‘skuadrës së re’, Armando Sadiku nuk e fshëhu aspak kënaqësinë e ftesës së marrë nga trajneri Silvinjo, ndërsa theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të përsërisë suksesin e Evropianit 2016.

“E prisja që trajneri do të më thërriste. Kam biseduar disa herë me të, që prej emërimit të tij. Jam shumë i kënaqur që u riktheva dhe kisha shumë kohë që e prisja grumbullimin. Kur mora ftesën, isha shumë i lumtur. Jam shumë i bindur dhe kam shumë besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk ka ekipe të dobëta. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit dhe nëse do të kemi edhe mbështetjen e të gjithë tifozëve, ta fillojmë me këmbën e mbarë në ndeshjen e parë që kemi në shtëpi kundër Moldavisë. Besoj që do t’ia arrijmë sërish atij qëllimi dhe shpresoj që të jemi sërish protagonistë si në 2016,” tha mes tjerash Sadiku.

 

Adrian Bajrami, foli për rikthimin në kombëtare dhe konkurrencën në repartin e mbrojtjes. I riu vlerësoi kundërshtarët e radhës në kualifikueset e “EURO 2024”, duke theksuar se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Gjithashtu Bajrami komentoi edhe raportin me trajnerin Silvinjo dhe për të ardhmen e tij te Benfika.

 

 

“Tani kemi një trajner të ri. Kam biseduar për shumë kohë me Silvinjon, ai erdhi në Portugali të më takonte kur isha i dëmtuar. Kemi pasur një bisedë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares”. Për mendimin tim nuk ka skuadra të lehta, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne duhet të japim maksimumin dhe duhet të jemi 100 për qind të fokusuar për atë që do të ndodhë në fushë,” tha nw fund Bajrami.

LEXO EDHE:

Back to top button