Saliu: Shfuqizimi i balancuesit, vazhdimësi e Kushtetueses për fshirjen e grafës etnike
Saliu: Shfuqizimi i balancuesit, vazhdimësi e Kushtetueses për fshirjen e grafës etnike

Gazetar: Suad Bajrami
Balancuesi ishte dëm kolateral në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi me vendimin është fshirë përkatësia etnike në procedurën për punësimin në administratë. Kështu tha në një intervistë për Alsat profesori universitar Argëtim Saliu, duke theksuar se hapi është vazhdimësi e vendimit të kushtetueses për fshirjen e përkatësisë etnike nga certifikatat e lindjes. Saliu, thekson se pas këtij vendimi të përshpejtuar, Ministria e Administratës dhe Sistemit Politik do të mbeten institucione shterpe pa kompetenca ekzekutive.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pas abrogimit grafës së etnisë dhe metodologjisë së balancuesit, cila do të jetë kompetenca parashtrohet pyetja, e këtyre dy ministrive, Ministrisë për Administratë dhe Ministrisë për Sistem Politik. Në fakt, ata do të jenë më institucione shterpe me pak kompetenca ekzekutive”, tha Argëtim Saliu, profesor universitar.
Zgjidhja e re ligjore, sipas Saliut doemos duhet të përfshijë grafën etnike, përndryshe, përveç se s’do të mund të ndiqet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, do të hapen dhe çështje tjera të funksionimit të institucioneve, si për shembull mënyra e kremtimit të festave shtetërore.
“Në mungesë të informacioneve, unë do të kisha sugjeruar që në këtë ligj të parashikohet grafa etnike, nëse jo për më tepër, për një arsye. Për shembull, në rast të kremtimit të festave shtetërore zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, cili udhëheqës i institucionet, ministër apo drejtor, president apo kryeministër do e di që nëpunësi i vet cilën festë zyrtare shtetërore do e feston. Do i feston, Pashkët, do e feston Bajramin, do e feston Ditën e Alfabetit? Kjo është pikërisht grafa etnike, e cila i mundëson që në bazë të përkatësisë etnike të deklaruar nga vetë nëpunësi ai dhe të bëjë edhe kremtimin e festës së tij zyrtare dhe shtetërore”, u shpreh Argëtim Saliu, profesor universitar.
Momentalisht, siç thekson Saliu është krijuar një situatë vakum që krijon paqartësi, e cila mund të ndikojë në ngritjen apo acarimin e marrëdhënieve ndëretnike. Çështja e balancuesit tanimë disa muaj ka zënë hapësirën e diskutimit publik. Debati, u intensifikua prej 9 tetorit, kur dhe kushtetuesja e shfuqizoi këtë mekanizëm, i cili rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione.
Zgjidhja shihet në propozim-ligjin e përgatitur nga VLEN, për të cilin në parim ka dakordësi edhe nga partnerët e koalicionit VMRO-ZNAM. Por, zgjidhja si duket do të zgjasë, pasi propozim-ligji duhet të dërgohet për mendim fillimisht në Komisionin e Venecias. /Alsat.mk