Sannino: Turbulencat politike në Kosovë nuk i kanë ndihmuar dialogut me Serbinë

Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Stefano Sannino, ka thënë të martën se turbulencat politike në Kosovë nuk i kanë ndihmuar procesit të dialogut me Serbinë, mirëpo zyrtarët evropianë besojnë se dialogu mund të rinisë shpejt.

“Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë lart në agjendën tonë. Nuk kam dyshim për këtë gjë. Do ta them shumë qartë: Ky është biznes i papërfunduar. Ne kemi përgjegjësi të veçantë për rajonin. Nuk e përballojmë dot që të mos vazhdojmë punën që kemi nisur”.

Sipas tij, mbështetja që po ofron Mirosllav Lajçak si i dërguar i posaçëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm dhe se puna e të ish të dërguarit amerikan për këto bisedime, Richard Grenell, nuk qenë ndihmuese.

“Nëse do të kisha qenë i sinqertë me ju, puna e Grenellit nuk ka qenë ndihmuese. Më shumë se kaq, nuk ka qenë në interesin e rajonit, ka qenë në interes të Shteteve të Bashkuara dhe idesë që kanë pasur. Prandaj ne duhet të udhëheqim. Mirëpo për të qenë në udhëheqje në Ballkanin Perëndimor, ne duhet të jemi aktivë në procesin e zgjerimit sepse ajo është perspektiva”, ka deklaruar Sannino.
Sannino ka vlerësuar se ndonëse ky proces ndonëse është kompleks, nuk përbën arsye që të BE-ja të mos jetë e angazhuar fuqishëm dhe e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor.

Dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Takimi i fundit në mes të krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar.

Prej atëherë, nuk është zhvilluar takim i nivelit të lartë, derisa në BE kanë thënë se arsyeja mbrapa mungesës së takimeve është pandemia e koronavirusit.

Arsye tjetër e mosmbajtjes së takimeve tani është edhe shpallja jokushtetuese e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti në Kosovë.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button