SASHK: Ndërprerja e përkohshme e grevës obligim ligjor që patjetër duhet respektuar
Gazetar: Melihate Rustemi
Sindikata e Arsimit dhe Shkencës, tha se vendimi i Këshillit për ndërprerje të përkohshme të grevës është obligim ligjor që patjetër duhet respektuar. Avokatja e sindikatës, Verica Arsova sqaroi se sindikata kishte obligim ta ndërpresë grevën pas nismës për zgjidhjen paqësore të kontestit, duke qenë se arsimi dhe mbrojtja e fëmijëve janë aktivitete me interes të përgjithshëm sipas Ligjit. për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, shkruan Alsat.
“Edhe pse ligji parashikon qasje vullnetare në zgjidhje, ai në nenin 18 paragrafi 1 thotë se në rast të grevës ose mosmarrëveshjes në veprimtari me interes të përgjithshëm, palët janë të detyruara që menjëherë të vazhdojnë në zgjidhjen paqësore të kontestit kolektiv. Në paragrafin 3 të të njëjtit nen, veprimtaritë me interes të përgjithshëm përfshijnë edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve. Në paragrafin 4 të të njëjtit nen thuhet se për kohëzgjatjen e procedurës së kontestit greva është në pritje. Kjo do të thotë se greva nuk ndërpritet, por vetëm vihet në pritje për një periudhë prej 10 ditësh”, tha Verica Arsova, avokate e SASHK-ut
Kryetari Sindikatës, Jakim Nedellkov u bëri thirrje mësimdhënësve të mos bien pre e manipulimeve të ndryshme që janë në dëm të mësimdhënësve.
“Është e pakëndshme dhe për të ardhur keq që njerëzit më të arsimuar në vend, pa ofenduar një sindikatë tjetër, e lejojnë veten të jenë në një farë mënyre, mendoj, të manipuluar apo të painformuar”, tha Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut
Mamer Shabani, kryetar i sindikatës në shkollën fillore “Ismail Qemali” thotë se pas 20 ditëve do të kuptohet nëse mësimdhënësit u tradhtuan ose jo.
“Të gjithë arsimtarët mendojnë se kjo është tradhti mirëpo unë besoj që nuk është ashtu, të presim. Greva nuk është ndërprerë por është në heshtje, afati ligjor është 10 deri në 20 ditë, do të presim edhe 10 ose 20 ditë. Ne jemi pajtuar që SASHK-ut ti jepet mundësia këto 10 ditë që të bisedohet për shumë çështje kontestuese dhe pastaj në fund të vendosim se çfarë do të bëjmë ne si anëtarë të sindikatës dhe atëherë do ta kuptojmë a jemi të tradhtuar apo jo”, tha Mamer Shabani, mësimdhënës
Greva në arsimin fillor dhe të mesëm u ndërpre përkohësisht të enjten. /Alsat.mk








