Scholz tha se SHBA-ja dhe Gjermania janë aleatët më të afërt
Për herë të parë që nga marrja e detyrës kancelari gjerman Scholz u takua në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Joe Biden. Scholz tha se SHBA-ja dhe Gjermania janë "aleatët më të afërt".
Presidenti Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz biseduan për situatën e tensionuar në kufirin e Ukrainës me Rusinë, ku janë dislokuar rreth 100,000 trupa ruse.
Pikë kyçe e mosmarrëveshjeve midis Uashingtonit dhe Berlinit është ndërtimi i gazsjellësit Nord Stream 2, që do të sjellë direkt gaz natyror rus në Gjermani.

Pas takimit Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se nëse tanket dhe trupat ruse do të kalojnë kufirin dhe pushtojnë Ukrainën projekti i gazsjellësit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë nuk do të vazhdojë.
Olaf Scholz, i cili ishte për vizitën e tij të parë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë si kancelar i Gjermanisë – tha se Gjermania ka rënë dakord me aleatët dhe partnerët, përfshi edhe SHBA-në, për “masa largvajtëse”.
“Ne do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm. Ju siguroj se nuk do të ketë asnjë masë për të cilën ne do të kemi një qasje të ndryshme. Ne do të veprojmë së bashku.” – tha kancelari gjerman.
Scholz nuk shprehet qartësisht për Nord Stream 2
I pyetur posaçërisht për Nord Stream 2 kancelari Scholz nuk tha në mënyrë eksplicite se projekti do të ndërpritet, por përsëriti mesazhin e tij të solidaritetit me Ukrainën dhe vendet e NATO-s.

Biden u shpreh me fjalë lavdëruese për lidhjet e ngushta midis Uashingtonit dhe Berlinit, duke shtuar se të dyja palët “po punojnë me një hap” për të penguar agresionin rus. /DW








