Gazetar: Ile Petrevski
Së paku 100 milionë euro para që janë paraparë për shpenzime nga shfrytëzuesit buxhetorë do të ridestinohen me rishikimin e buxhetit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se sa do të jetë borxhi i vendit dhe për çfarë do të përdoren ato mjete, shkruan Alsat.
Më shumë se 600 milionë euro i mungojnë arkës së shtetit, tashmë po bëhen përllogaritje që do të “dhëmbin” më pak, kredi bankare apo lëshimi i një eurobondi. Rishikimi i buxhetit do të gjendet para deputetëve në qershor.
“Në buxheti nuk ishte paraparë lufta në Ukrainë, jo vetëm që e thelloi krizën, por edhe e rriti shumë herë çmimin e energjisë dhe të gjithë jemi shumë të vetëdijshëm se çmimi i energjisë elektrike jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por në mbarë Evropën është rritur për disa herë në raport me çmimet normale kur është bërë buxheti”, deklaroi Dimitar Kovaçevski Kryeministër.
As kreatori i rishikimit të buxhetit, Ministria e Financave nuk iu përgjigj konkretisht pyetjeve të Alsat-it se sa do të shkurtohen projektet kapitale dhe sa para do të kërkohen nga financuesit ndërkombëtarë. Paratë nga huazimet e paralajmëruara nuk duhet të shpenzohen për rritje të pagave në sektorin publik dhe privat. Ekonomistët shprehen të shqetësuar se në një kohë kur po shkurtohen paratë për projekte që mund ta shtojnë vlerë, shteti po merr hua për të përmirësuar artificialisht standardin e jetesës së qytetarëve dhe për të rritur likuiditetin e kompanive.
“Ne marrim borxh vetëm për të ruajtur qetësinë sociale, për të paguar fondet që do të ruajnë likuiditetin, si dhe për të paguar kostot operative që dalin. Në atë mënyrë nuk mund të presim që të arrijmë rritjen e parashikuar të ekonomisë prej 4.3 për qind, ajo tashmë është ulur në tre për qind dhe mund të presim që të shkojmë edhe më poshtë”, u shpreh Abil Baush Ekonomist.
Problemi me rishikimin e buxhetit është se deficiti i parashikuar fillimisht në thesarin e shtetit prej 4.2 për qind do të rritet me mbi gjashtë për qind. Huamarrja e sapo paralajmëruar do ta thellojë borxhin publik të Maqedonisë, i cili do të kalojë 63% të Bruto Prodhimit Vendor./Alsat.mk








