Senatori demokrat bllokon agjendën e Presidentit Biden për klimën
Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, një pjesë jetike e axhendës së Presidentit Biden për klimën rrezikon të dështojë në Senatin amerikan, si rezultat i kundërshtimit nga një ligjvënës i partisë së presidentit.
Senatori Joe Manchin, demokrat, i cili përfaqëson shtetin e Virxhinias Perëndimore, ka thënë se nuk do të mbështesë dispozitat më të rëndësishme për energjinë e pastër në paketën e administratës së Presidentit Biden për infrastrukturën dhe të shpenzimet sociale.
Për shkak se demokratët kanë vetëm 50 vende në senatin prej 100 anëtarësh dhe nuk presin asnjë votë nga republikanët, Senatori Manchini mund ta minojë të gjithë projekt-ligjin duke mos votuar në mbështetje të tij.
Javën e kaluar, ai tha se do të bënte pikërisht këtë gjë nëse Programi i Efektshmërisë për Energjinë e Pastër, shkurtimisht CEPP, që konsiderohet si bërthama e planit të Presidentit Biden për klimën, do të ishte pjesë e projekt-ligjit. Programi CEPP do të shpërblente prodhuesit e energjisë elektrike që fillojnë tranzicionin tek energjia e rinovueshme me një normë prej 4% në vit ose më shumë, dhe do të penalizonte ata që nuk e bëjnë këtë.
Ekonomia e shtetit që përfaqëson Senatori Manchin varet në masë të madhe nga karburantet fosile, kështu që firmat e naftës dhe gazit, të minierave të qymyrit dhe kompanitë e gazsjellësve natyror kanë ndikim të madh tek politika.
Programi CEEP do ta dëmtonte rëndë industrinë e qymyrit në Virxhinian Perëndimore, sepse 90% e energjisë elektrike të prodhuar në atë shtet vjen nga centralet me qymyr.
Këtë javë, zoti Manchin-i gjithashtu hodhi poshtë një përpjekje tjetër për të përmbushur qëllimet e administratës për reduktimin e emetimeve, këtë herë duke vendosur një taksë mbi karbonin. Senatori Manchin nuk ka ofruar ndonjë alternativë që do t’i afrohej llojit të ndikimit ndaj emetimeve që kërkon administrata e Presidentit Biden.








