Serbët në veri të Kosovës i vënë flakën një veture me targa RKS

Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Është djegur një veturë, ndërsa gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thonë se për më shumë se një orë është duke u dëgjuar edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.

Policia e Kosovës është e vendosur edhe para farmacive në veri.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.

Në Mitrovicë të Veriut turmat pothuajse janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë po vazhdon edhe në Zveçan ku janë mbledhur serbët lokalë për ta kundërshtuar.

Ky aksion, që ende po vazhdon është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës, tha Policia përmes një njoftimi për media.

Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe po vazhdon vendi dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

LEXO EDHE:

Back to top button