Policia serbe bllokon autobusët e Kosovës në kufirin me Kroacinë

Policia serbe bllokon autobusët e Kosovës në kufirin me Kroacinë

Mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi që nga mesnata ka bërë të ditur Zyra e Kosovës në Serbi.

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi  Fatmir Haxholli ka bërë të ditur se ky veprim vjen pas votës pro në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës.

Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’.

Duke qenë që Zyra Ndërlodhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, ka thënë Haxholli.

Kjo është konfirmuar edhe nga Shoqata e Transportit në Kosovë. Ruzhdi Kurtishaj ka thënë që prej orës 01:00 e natës janë ndaluar autobusët me arsyetimin se ka urdhër nga lartë.

LEXO EDHE:

Back to top button