Serbia “njeh” pasaportën e Kosovës në aeroporte

Pasaporta e Serbisë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas, përveçse në aeroporte, nuk është e vlefshme si dokument udhëtimi, sepse këto dy vende nuk e njohin njëra-tjetrën, shkruan Radio Evropa e Lirë.

- Advertisements -

Zyrtarë të lartë të Kosovës thonë se njohja e ndërsjellë me Serbinë do të arrihet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

Por, Serbia, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, beson se nuk ka nevojë për njohje nga Kosova, pasi Kosova, sipas saj, është pjesë e territorit të Serbisë.

Kur mund ta përdorin pasaportën qytetarët e Kosovës dhe Serbisë?

Në fillim të këtij viti, Marija Radulloviq ka fluturuar pa ndonjë problem nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë me pasaportë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kragujevc të Serbisë.

Megjithatë, qytetarët e Serbisë nuk kanë mundur të kalojnë me pasaporta në vendkalimet kufitare tokësore gjatë dy vjetëve të fundit. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe Dushan Marinkoviq, pronar i agjencisë së transportit të udhëtarëve KIMCO, që operon çdo ditë në relacionin Graçanicë-Beograd.

“Nuk ka shanse të kalosh me pasaportë serbe”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2011, që pikat kufitare tokësore të mund të kalohen vetëm me një kartë identiteti.

Në vitin 2019, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se rastet kur qytetarët serbë lejohen të kalojnë me pasaportë, nuk do të tolerohen më.

Në krye të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011, kur është nënshkruar Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes, kanë qenë Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq.

Më 23 korrik, Tahiri nuk ka qenë në dispozicion për komente, por, më herët, ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja për lirinë e lëvizjes parasheh njohjen reciproke të dokumenteve shtetërore dhe se lëvizja midis Kosovës dhe Serbisë bëhet me një kartë identiteti.

Tahiri po ashtu ka thënë se në rast se qytetarët e Kosovës fluturojnë me aeroplan në vendet e treta përmes Serbisë, përdoret edhe pasaporta e Kosovës.

Sa u përket qytetarëve të Serbisë, nëse e shfrytëzojnë aeroportin në Prishtinë, ata mund ta përdorin pasaportën si dokument, ka shpjeguar Tahiri.

Megjithatë, të udhëtosh nga aeroporti i Prishtinës me një pasaportë të lëshuar nga Drejtoria e koordinimit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Beograd, nuk është e mundur, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë të paligjshme. Në këtë administratë, pasaporta nxjerrin ata që, sipas sistemit serb, kanë vendbanim në një nga qytetet e Kosovës.

Borko Stefanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se për pasaportat nuk është diskutuar kurrë dhe se çështja nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes.

“Kjo është bërë me qëllim. Ne nuk kemi dashur të flasim për pasaportat si dokumente udhëtimi, sepse kemi konsideruar se përdorimi i pasaportave dhe vënia e vulës së Kosovës në to është gjëja në të cilën këmbëngul Prishtina. Dhe, ky është një element i sovranitetit”, thotë Stefanoviq.

Pse nuk njihen pasaportat?

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, thotë se Ministria e Brendshme e Kosovës ka vendosur të mos lejojë që qytetarët me pasaporta serbe të kalojnë kufirin tokësor, sepse Serbia nuk e njeh pasaportën e Kosovës.

Sipas saj, përkundër Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, qytetarët e Kosovës dhe Serbisë ende hasin në pengesa kur udhëtojnë.

“Serbia nuk lejon që qytetarët, të cilët vijnë nga vendet e treta [të cilët kanë vetëm vulë të Kosovës në pasaportën e tyre], të kalojnë kufirin me Serbinë pa ndonjë vulë nga një pikë tjetër kufitare”, thotë Krasniqi.

Ajo shton se gjëra të tilla ndodhin, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën dhe anasjelltas.

“Lëvizja e qytetarëve është lehtësuar, por problemi nuk është zgjidhur dhe është shumë komplekse dhe problematike për shtetasit e vendeve të treta t’i kalojnë kufijtë”, thotë Krasniqi.

Stefanoviq thotë se është “qesharake” që Kosova këmbëngul në njohjen reciproke me Serbinë, sepse, sipas tij, kjo nuk do t’ua lehtësojë jetën njerëzve.

“Fakti që Prishtina nuk i njeh pasaportat serbe, neve na përshtatet, sepse është rënë dakord që [kufijtë] të kalohen vetëm me letërnjoftime. Kjo është një lojë transparente me veprime të ulëta. E gjitha është lojë, ata duan që të vihemi në të njëjtën pozitë dhe ‘do ta zgjidhim këtë kur ta njohim njëri-tjetrin’”, thotë Stefanoviq.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka filluar në vitin 2011 në nivelin teknik, ndërsa në vitin 2012 ka kaluar në një nivel më të lartë – atë politik.

Rreth 30 marrëveshje janë arritur deri më tani, por shumë prej tyre nuk zbatohen në terren.

LEXO EDHE:

Back to top button