Shabani dhe Limani mohojnë negociatat me VLEN-in, Kasami: “Ka bisedime”
Gazetare: Melihate Rustemi
Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, është parë në një darkë të përbashkët me kryeshefin e SPB-së në Tetovë, Rijat Ali. Alsat jozyrtarisht mëson se temë diskutimi ka qenë kalimi i mundshëm i Shabanit në koalicionin VLEN. Informacionet se Shabani dhe zyrtarë të tjerë të Aleancës për Shqiptarët mund të shkëputen nga mbështetja ndaj Arben Taravarit po qarkullojnë prej kohësh, ndërsa lëvizje të tilla politike mund të konkretizohen gjatë ditëve në vijim.
I pyetur lidhur me takimin dhe pretendimet për kalim te VLEN-i, kryetari i Vrapçishtit, Isen Shabani, i hodhi poshtë duke konfirmuar qëndrimin e tij brenda partisë.
“Unë jam anëtar i kryesisë së ngushtë të ASH, dhe aty do te vazhdoj, në shtëpinë të cilën e kemi ndërtuar me plot mund dhe sakrifica. Për takimin në fjalë, ne jemi bartës të institucioneve dhe nuk shoh asgjë të keqe të takohemi dhe të pimë kafe”, ka deklaruar Isen Shabani, kryetar i Komunës Vrapçishtë.
Të njëjtën e ka mohuar edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, emri i të cilit po ashtu është përfolur për një lëvizje të mundshme politike. Limani mohoi se ka bisedime apo negociata për kalim te VLEN-i, duke theksuar se bashkëpunimi mes krerëve të komunave është vetëm në nivel institucional e kolegial.
“Bashkëpunimi dhe respekti me të gjithë kolegët që bartin të njëjtin funksion do të jenë gjithmonë në nivelin e duhur. Sa u përket çështjeve të tjera, përveç bisedave kolegiale që lidhen me bashkëpunimin ndërkomunal, në kuadër të Rajonit të Pollogut apo programeve qeveritare, nuk ka asnjë lloj bisede apo negocimi tjetër në vazhdim. Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike”, theksoi Valbon Limani, kryetar i Gostivarit.
Por bashkëkryetar i VLEN-it Bilall Kasami pranoi se në prapaskenën politike ka negociata për shkak të përçarjeve në radhët e opozitës, duke paralajmëruar veprime konkrete këto ditë.
“Sigurisht që në skenën politike në përgjithësi ka zhvillime të tilla, ka lëvizje të tilla veçanërisht këtu te ne kur e dimë që opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare dhe në këtë drejtim janë edhe bisedimet të cilat po zhvillohen dhe unë besoj që ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete…Ka bisedime por nuk do ti zbuloj emrat sepse ditëve në vijim do të kemi edhe veprime konkrete”, ka deklaruar Bilall Kasami nga VLEN.
Ndërkaq, lidhur me zërat se Albin Kurti mund të ketë kontaktuar kryetarin e ASH-së, Zijadin Sela, për t’u bërë pjesë e koalicionit VLEN, Kasami sqaroi se nuk ka bisedime për përfshirjen e Selës brenda strukturave të VLEN-it. Sidoqoftë, ai la të hapur mundësinë e zgjerimit të ekzekutivit, duke potencuar se me Selën mund të diskutohet vetëm për hyrje të mundshme në Qeveri, me kusht që të pranohet programi qeverisës.
“Ka biseda..Qeveria mund të zgjerohet por për momentin nuk jemi në bisedime me z. Sela për të qenë pjesë e VLEN-it. Për pjesën e Qeverisë bisedojmë më të gjithë ata të cilët pranojnë programin e Qeverisë”, theksoi Bilall Kasami nga VLEN. /Alsat.mk








